Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e mbrëmshme kanë zgjedhur Ahmet Ismailin si guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Zgjedhja e tij e tij është bërë pas propozimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere. Kurse, sipas ligjit, emërimi i tij duhet të bëhet nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila zyrtarizon mandatin 5-vjeçar të guvernatorit.
Kjo është biografia e guvernatorit të ri të BQK-së:
Ahmet Ismaili ka lindur në Podujevë, kurse studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, në Drejtimin Banka dhe Financa të Fakultetit Ekonomik, ku edhe ka marrë titullin doktor i shkencave ekonomike në drejtimin Banka dhe Financa.
Guvernatori në ardhje i institucionit më të rëndësishëm financiar në vend, është 39 vjeçar, i martuar, ka tre fëmijë dhe jeton në Prishtinë bashkë me familjen.
Ismaili ka mbajtur pozitën e drejtorit të Thesarit të Shtetit, për një mandat të plotë dhe paralelisht edhe të anëtarit të Komitetit Kombëtar të Pagesave në BQK.
Ai ka shërbyer edhe si anëtar bordi dhe anëtar i Komitetit të Auditimit në Fondin për Sigurimet Shëndetësore, derisa ka qenë edhe drejtor menaxhues dhe anëtar i Bordit në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Ismali ka ligjëruar tetë vite në Universitetin e Prishtinës, si dhe në universitete të tjera të akredituara në Kosovë, duke ligjëruar në fushën e bankave dhe afarizmit bankar, menaxhimit financiar, analizës financiare dhe fusha të ngjashme në programet e studimeve bachelor dhe master.
Sipas profilit të tij në platformën LinkedIn, Ismaili ka qenë i angazhuar herë pas here edhe si trajner i lartë i certifikuar në kuadër të Shoqatës së Bankave të Kosovës, por gjithashtu ka punuar edhe si ekspert dhe konsultent i institucioneve të ndryshme ndërkombëtare në Slloveni dhe ShBA.
Përndryshe, deri në zgjedhjen e Ismaili, BQZ-në e ka udhëhequr, Fehmi Mehmeti. Ndërsa, aktualisht BQK udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së Guvernatorit, Bashkim Nurboja, i cili paralelisht është edhe kryesues i bordit të BQK-së.