Ndonëse njerëzit i duan shumë udhëtimet, por rritja e çmimeve të biletave po i bën thuajse të pamundura udhëtimet në distanca të gjata për shumë njerëz, ka disa vende që po bëjnë gjithçka që munden për të inkurajuar vizitorët që t’i vizitojnë ato vende dhe të nxisin ekonomitë e tyre.
I fundit është Tajvani, i cili planifikon t’i ofrojë secilit turist nga 165 dollarë për të pushuar atje. Shpërblime në para do t’iu ofrohen edhe grupeve turistike për t’i inkurajuar ata të vizitojnë ishullin.
Kryeministri i Tajvanit, Chen Chien-jen njoftoi të enjten se qeveria synon të tërheqë 6 milionë turistë në vitin 2023, duke e dyfishuar këtë shifër në vitin 2024 dhe duke synuar 10 milionë vizitorë deri në vitin 2025.
Ministri i Transportit Wang Kuo-tsai deklaroi të mërkurën se kompensimi në para do të dorëzohet në mënyrë digjitale. Turistët do të mund ta përdorin atë për të mbuluar shpenzimet e tyre në Tajvan, përfshirë akomodimin. Ai shtoi se masat synojnë të tërheqin më shumë vizitorë nga tregjet kryesore sikurse Japonia, Korea e Jugut, Azia Juglindore, Hong Kongu dhe Makao, si dhe nga Evropa e Amerika.
Tajvani kishte më pak se 900 mijë vizitorë në vitin 2022. Kryesisht më së shumti vizitorë kishte nga Vietnami, Indonezia, Japonia dhe SHBA./UBTNews/