UBT News

Kuvendi voton rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar me 89 vota për rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë.

Bahrim Sabani nga Vakat ka kërkuar mbështetja nga deputetët për kalimin e kësaj rezolute duke thënë se kështu që arrihet drejtësia për Srebrenicën.

“Të miratohet kjo rezolutë që të kemi drejtësi dhe regjioni të ketë sytë nga e ardhmja që popujt të pajtohen. Ata që mohojnë gjenocidin e krimit që është bërë në zemër të Evropës kjo do të ndikojë që jetë mjetë i pajtimit. Krimet e kryera nga serbët në Srebrenicë përbëjnë gjenocid. Kjo është njohur edhe nga GjND”, deklaroi ai.

Deputetja Dude Balje ka thënë se Srebrenica është simbol i gjenocidit të kryer.

“Srebrenica na kujton familjet e detyruara të ikin me autobus me sy të lidhur. Qyteti Srebrenica është simbol për vrasjet që kanë ndodhë atje dhe mund të quhet gjenocid. Ky krim nuk duhet t’i ikë drejtësisë. Këtë që bëjmë në parlament do është konfirmim i respektimit të viktimave”, deklaroi Balje.

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ka thënë se VV-ja i jep mbështetje të fuqishme kësaj rezolute në mënyrë që të dënohen krimet e Srebrenicës të cilat i përjetuam edhe në lëkuren tonë.

“Është e vështirë të jetosh duke mos ditë fatin e familjarëve. Vuajtjet e popullit boshnjak i dimë më së shumti ne, ngjashëm që përjetuam gjatë luftës së fundit në Kosovë. Gjenocidi në Stebrenicë është prej krimeve më të rënda prej luftës së dytë botërore krimet këto që vazhduan edhe në Kosovë dhe i kemi përjetuam edhe në lëkuren tonë. Në emër të LVV-së tregoj që fuqishëm e mbështesim këtë rezolutë që është dashtë të ndodhë edhe më herët”, deklaroi Bogujevci.

Edhe grupet e tjera parlamentare si PDK, LDK e AAK i kanë dhënë përkrahje miratimit të kësaj rezolute.

Abelard Tahiri nga PDK-ja ka thënë se është më se i rëndësishëm miratimi i kësaj rezolute.

“Edhe PDK e mbështet këtë rezolutë. Nuk mund të anashkalojmë faktin për vonesë të dënimit të meritur nga drejtësia ndërkombëtare. Është i rëndësishëm e i nevojshëm miratimi i një rezolutë të tillë. Ata që i kanë kryer këto krime në Srebrenicë të marrin dënimin e merituar”, deklaroi ai.

Driton Selmanaj nga LDK-ja ka thënë se i bashkohen dënimit të këtij akti në Srebrenicë.

“Jemi vonuar, por u bashkohemi kësaj dhe jemi të bindur se këto akte do të vazhdojnë të dënohen fuqishëm”.

Kurse Besnik Tahiri nga AAK-ja ka thënë se rezoluta është e vonuar.

“E mbështesim rezolutën dhe konsiderojmë që është më së e vonuar”, tha Tahiri.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se dënimi i krimeve gjenocidale të Srebrenicës duhet të jetë i padiskutueshëm.

“Ky është veprim fisnik e i duhur në emër të universales sonë njerëzore, dëshirës sonë për drejtësi. Dënimi i krimeve gjenocidale duhet të jetë i përhershëm i padiskutueshëm e i kudondodhur. Çdo vit e kujtojmë Srebrenicën duke kërkuar drejtësi”, deklaroi Kurti.

Po ashtu Kurti ka theksuar se kjo Qeveri ka filluar të përgatisë me kujdes padinë për gjenocid ndaj Serbisë.

Exit mobile version