Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot (e enjte) seancën plenare. Në seancën e cila pritet të nisë nga ora 10:00, është paraparë miratimi i deklaratës në mbështetje të rezolutës së Parlamentit Evropian të datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.
Në këtë seancë është paraparë edhe shqyrtimi i pikave të papërfunduara nga seancat plenare, të mbajtura më 19 tetor dhe 2 e 3 nëntor.
“Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave. Votimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, votimi i Projekt-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-208 për Parqet Industriale dhe Teknologjike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-258 për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë, shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022, zgjedhja e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb, miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje dhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.