Kuvendi i Kosovës mban seancën plenare në të cilën do të shqyrtohet projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg dhe projektligjin për mbështetjen e punëve publike.
Kohë më parë, ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati ka thënë se duke marrë për bazë luhatjen e çmimeve në sektorin ndërtimor kanë ngecur shumë punime, prandaj edhe kanë iniciuar Projektligjin për mbështetjen e punëve publike, që parasheh kompensime shtesë për operatorët ekonomik.
“Projektligji parasheh kompensim shtesë. Janë kontratat të mesme dhe të mëdha për projekte kapitale. Projektligji parasheh kompensim për ato materiale ndërtimore, alumini, zhavori. Të drejtë për kompensim kanë operatorët ekonomik. Të gjitha janë bërë në mënyrë që të hapet rrugë për operatorë ekonomik. Tavani është 20%. Lutja ime do të ishte të shqyrtohet mundësia në mënyrë të përshpejtuar sepse varet edhe niveli lokal. Një gjë e tillë do të duhej të rregullohej në Ligjin për prokurim publik”.
Sipas tij, një draft i tillë synon lejimin e një kompensimi dhe parandalon abuzime. Ai theksoi se si kosto është vështirë të dihet sepse kemi të bëjmë me vendime individuale.
“Sa i përket OShP-së ka të bëjë me tenderime të reja. Sa i përket afatit kohor ne kemi vendosur të jetë data 1 korrik që do të jetë gjysma e dytë e këtij viti dhe të vazhdojë deri me 30 qershor. Sa i përket nivelit lokal ka rritje të buxhetit edhe për shpenzime kapitale. Pajtohemi që 20% është reflektim real. Shumat janë të përfshira brenda kufijve që komunat kanë aktualisht. Komunat kanë 15% të buxhetit pjesa prej 20% aplikohet të secili. Vijat buxhetore janë tashme në buxhet edhe mjetet buxhetore. Mund të konsiderojmë shqetësim, por tek punët publike mund të kryhen renovime të brendshme. Hapja e derës për të amandamentuar kontrata e hap derën për keq shpenzim të buxhetit”.
Seanca nis në orën 10:00. Kurse, dy orë më vonë, Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara plenare.