Tri marrëveshje ndërkombëtare sërish kanë dështuar të votohen në Kuvendin e Kosovës. Ato do të barten në seancat e ardhshme.
Kuorum nuk pati as për miratimin e projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.
Opozita, ani pse e pranishme në sallën e seancave plenare, nuk po merr pjesë në votim.
Ndërkaq, deputetët miratuan Ligjin për Zyrtarët Publik.
Kuvendi nuk arriti të vendosë në votimmarrëveshjen për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, atë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore dhe marrëveshjen e kredisë mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale”.
“Me sa po e shoh nuk ka atmosferë që të votohen . Kërkoj nga sekretaria që të ketë parasysh që pikën gjashtë, siç figuron në rendin e ditës, pikën shtatë dhe pikën tetë, të trija marrëveshjet ndërkombëtare të bartin kurdo që ka mundësi kuvendi t’i trajtojë në ndonjë seancë të ardhshme”, deklaroi kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Sërish ka dështuar të miratohet edhe projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.
Për amendamentin e propozuar nga deputeti Visar Korenica, kanë votuar vetëm 44 deputetë.
Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka emëruar shtatë anëtarët e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Anëtarët e këtij këshilli do të kenë mandat tre-vjeçar dhe ata janë Artan Krasniqi, Fahri Beqiri, Besarta Reqica, Esin Salla, Zanita Halimi, Arianit Buqinca dhe Sllagjana Boshkoviq.
Me 62 vota për, Kuvendi e miratoi edhe Ligjin për Këshillin e Sigurisë.