UBT News

Kuvendi pritet të vazhdojë seancën konstituive, në rend dite zgjedhja e pesë nënkryetarëve

Sot nga ora 11:00 pritet të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është zgjedhja e pesë nënkryetarëve të Kuvendit. Zgjedhja e tyre dështoi në vazhdimin e seancës së mbajtur të mërkurën.

Në atë seancë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Pas dështimit të konstituimit të Kuvendit, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se pajtueshmërinë për zgjedhjen e nënkryetarëve synon ta arrijë përmes një takimi me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kurti tha se i ka ftuar dy liderët në takim dhe bëri thirrje për qasje konstruktive, në mënyrë që Kuvendi të konstituohet dhe të formohet sa më shpejt Qeveria e re. Megjithatë, që nga ajo ditë nuk është raportuar për një takim mes tyre.

Me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar.

Bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 25 qershorit 2025, deputetët kanë pasur afat deri më 7 gusht për përfundimin e procesit të konstituimit. Megjithatë, edhe vazhdimet e mëhershme, edhe seanca e sotme, janë ftuar përtej këtij afati.

Në dy raste paraprake, Kurti kishte kërkuar kohë shtesë për të negociuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, vetëm konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk mjaftojnë për të shmangur zgjedhjet e reja, nëse nuk zgjidhet edhe presidenti i vendit.

Kurti dhe Abdixhiku më herët janë dakorduar për emrin e Bekim Sejdiut si kandidat i përbashkët për president. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk e garanton kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh, pasi gjashtë deputetë të LDK-së kanë dalë kundër.

Në vazhdimin e seancës së mbajtur të mërkurën, kryetarja e re e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dha dy arsye për mosvazhdimin e procesit të konstituimit, të cilat ajo i cilësoi si pengesa për zgjedhjen e nënkryetarëve.

Arsyetimi i parë lidhej me propozimin e Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit. Haxhiu e konsideroi atë propozim jokushtetues për shkak të përdorimit të termit “populli serb”.

“Popull serb ka në Serbi, ndërsa Republika e Kosovës e ka popullin e Kosovës, ku 92% janë shqiptarë, 4% serbë dhe 4% nga komunitetet e tjera”, kishte thënë Haxhiu.

Përfaqësuesi i Listës Serbe, Igor Simiq, gjatë nominimit të Sllavko Simiqit për nënkryetar, kishte thënë se ai propozohet “në emër të popullit serb”.

I vetmi institucion në Kosovë që mund të japë interpretim për kushtetutshmërinë e një çështjeje është Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë, i njëjti formulim ishte përdorur nga Lista Serbe edhe gjatë konstituimit të Legjislaturës VIII, më 22 mars 2021, kur Vetëvendosje e kishte votuar propozimin.

Arsyetimi i dytë i Haxhiut ishte se nuk kishte vota të mjaftueshme për kandidatët për nënkryetarë të propozuar nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Megjithatë, emrat e nominuar nuk u hodhën në votim, përmes të cilit do të mund të verifikohej nëse kishin apo jo mbështetjen e deputetëve./A.K

Exit mobile version