UBT News

Kuvendi nis seancën me një minutë heshtje për heroin Afrim Bunjaku

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar seancën plenare me një minutë heshtje për rreshterin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku. Parlamenti mblidhet për herë të parë pas aktit terrorist të së dielës nga grupet terroriste serbe në veri të vendit.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca kërkoi nga deputetët që të nderojnë heroin Afrim Bunjaku.

“Në emër të Kuvendit të Kosovës dhe të grupeve parlamentare të kërkoj që ta mbajmë një minutë heshtje për rënien e heroit tonë, Afrim Bunjaku, për rënien e rreshterit të Policisë së Kosovës, në detyrë”, tha ai.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore. Tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar disa persona. Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armatimi në Manastirin e Banjskës, ku terroristët ishin strehuar.

Exit mobile version