Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se Kuvendi nuk është njoftuar për dorëheqjen e komandantit të Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Ramaës.
Terr informativ dhe veprim të ngutshëm po e quan ai gjithë procesin, madje po e konsideron si shkarkim nga presidentja Vjosa Osmani e jo dorëheqje nga Rama.
Lekaj në një prononcim për Ekonomia Online ka deklaruar se në këtë proces mund të jenë bërë shkelje, duke kërkuar debat në Kuvend e sqarime nga presidentja e Qeveria.
“Sa i përket shkarkimit të komandantit mendoj që në këtë drejtim është në terr informativ as si Parlament nuk kemi informatë dhe është dashtë që kjo të mos bëhet me nguti përpos që nëse ka pasur ndonjë krizë përbrenda FSK-së dhe në këtë drejtim sikur çdo vendim tjetër që Qeveria Kurti me nguti po e merr dhe po krijon huti te qytetarët, por edhe te Parlamenti. Ne lusim Qeverinë Kurti që mos të marrin vendime të tilla edhe pse ky vendim është marrë nga presidentja Osmani, por që të debatohet dhe të jemi të informuar. Mendoj që nuk ka qenë kaq e ngutshme që të bëhet ky veprim. Me siguri që përbëjnë edhe shkelje dhe në ditët në vijim do të informohemi për procedurat që janë marrë dhe do të debatohet edhe në Parlament”, ka deklaruar ai.
Rama ka dhënë dorëheqje nga pozita e komandantit të FSK-së, përderisa ndërrimi i komandës u bë në një ceremoni shumë private e pa praninë e medieve. FSK-në tash do ta udhëheq gjenerallejtënant Bashkim Jashari.