Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mirëpritur miratimin e rezolutës së Parlamentit Evropian, ku dënohet sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në seancën e sotme plenare, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, tha se rezoluta e PE-së duhet të jetë një pikë kthese për institucionet e Bashkimit Evropian për të parë se Serbia dëshiron vetëm destabilizimin e rajonit.
“Sot Parlamenti Evropian miratoi rezolutën për dënimit e sulmit në Banjskë pasi askush në familjen evropiane nuk ka luksin të merret edhe me një Putin në rajon dhe kjo rezolutë uroj të jetë një pikë definuese se në cilën karrige dëshiron Serbia të ulet”, tha ajo.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kërkoi nga institucionet e Kosovës që të shfrytëzojnë momentumin e krijuar dhe të nxjerrë në pah të vërtetën se Serbia qëndron prapa sulmit terrorist të 24 shtatorit.
Madje ai kërkoi nga kryeministri Kurti që të koordinohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama që Këshilli i Sigurimit të ketë një seancë të veçantë në lidhje me këtë temë.
“Dua të falënderoj dhe përgëzoj Parlamentin Evropian për miratimin e një rezolute jashtëzakonisht domethënëse për vendin tonë. Sot, PE-ja miratoi rezolutën ku shpreh shqetësime dhe dënon ashpër sulmin terrorist, i cili ndodhi në Banjskë të Zvecanit më 24 shtator. Është e rëndësishme që ne së bashku të kemi një angazhim më të madh në nxjerrjen në pah rreth këtij sulmi dhe rreth të vërtetës për sulmin terrorist të sponsorizuar nga Serbia. Tashmë janë shtuar zërat mbështetës edhe nga BE-ja që të kërkohet një hetim ndërkombëtar për këtë çështje…Kryeministri jonë do të duhej t’i kërkonte Republikës së Shqipërisë, e cila është anëtare e përkohshme dhe kryesuese e Këshillit të Sigurimit, që së bashku me shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të angazhohet dhe të kemi një seancë të veçantë të Këshillit të Sigurimit”, tha ai.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, foli për samitin e Procesit të Berlinit që u mbajt në Tiranë më 16 tetor. Ai pyeti kryeministrin Kurti se çfarë investime konkrete ka sjellë nga ky samit, ndërkaq përmendi edhe deklarimin e presidentit francez Emmanuel Macron se Kurti dhe Osmani nuk po mbajnë fjalën e dhënë.
“Në një fjali presidenti Macron nuk u keqinterpretua. Ai tha se Kosova nuk po e mban fjalën e dhënë. A ka mundësi kryeministri i Kosovës të vijë dhe t’ju tregojë qytetarëve se për çfarë premtimi iu ka dhënë liderëve evropianë dhe për çka është zotuar si udhëheqës dhe për çka nuk po e mban fjalën”, tha ai.
Krahas kësaj në seancën e sot me plenare mazhoranca abstenoi që në rend të ditës të futet votimi i Rezolutës për Policinë e Kosovës, mirëpo kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca votoi pro saj.