UBT News

Kuvendi miraton dy marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës ka miratuar dy marrëveshje ndërkombëtare, ndërsa për dy të tjera nuk ka pasur përkrahje.

Në këtë seancë është miratuar Projektligji nr. 08/L-019 për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II) dhe Projektligji nr.08/L-009 përratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se këto marrëveshje janë të një rëndësie të veçantë, si ajo e shëndetësisë e infrastrukturës dhe arsimit.

“Ne si pozitë ju kemi ofruar bashkëpunim opozitës gjithmonë në interes të qytetarëve”, tha Kusari-Lila.

Në anën tjetër kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se partia  e tij përkrah dy marrëveshje që kanë të bëjnë për shëndetësinë ndërsa dy tjerat nuk i përkrah.

“Ne i kemi parë këto marrëveshje sidomos ajo e shëndetësisë, dhe sidomos në këto raste të rritura me Covid-19 andaj bëj thirrje që të jemi afër qytetarëve dhe të mos jenë viktimë e saj, këto dy marrëveshje i përkrahim, ndërsa dy të tjerat që është edhe për hekurudhën për momentin nuk i përkrahim”, tha Tahiri.

Tutje, Arben Gashi, nga Grupi Parlamentar i LDK-së, ka nisur fjalimin e tij me fjalë ofenduese ndaj Ministrit Financave, Hekuran Murati duke e quajtur se si dikur i hapte krahët si skifter e tash rrinë si pulë.

“Sot tek seanca e kuvendit e shohim shumë mirë se çfarë do të thotë llogaridhënia për fjalën e thënë, po ja kujtoj ministrit te financave se dikur duke i hapur krahët si skifterë e tash duke u sillu si pula, po dëshpëroni qytetarët, nuk e dini se sa e rëndësishme është të e shihni interesin e vendit. Ne si parti politike e japim përkrahjen për marrëveshjen e financimit për menaxhimin e situatës me Covid-19, dhe të marrëveshjes për mjete shëndetësore me qeverinë e Luksemburgut, japim përkrahje sepse nuk duam të bllokojmë por e duam interesin  e vendit”, tha Gashi.

Edhe përfaqësuesja nga AAK, Time Kadriaj, tha se grupi GP-së i saj përkrahin këto marrëveshje.

Exit mobile version