Deputetët nga mazhoranca miratuan kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksave vjetore për 2024, Projektligjin për shërbime sociale dhe familjare, Projektligjin për Konfliktet Administrative.
Po ashtu, u miratua në shqyrtim të dytë Projektligji për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh, Projektligji për kadastrën e pronës së paluajtshme, Projektligji për organizimin e tregut për produktet bujqësore, Projektligji për ndryshime klimatike.
Në votim ka kaluar edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë e asociimit në organizata joqeveritare, Projektligji për Agjencinë e Regjistrimit Civil dhe Projektligji për Administrimin e Procedurave Tatimore.
Pika e fundit të rendit të ditës, Projekt Kodi doganor dhe akcizave do të shqyrtohet në ndonjërën nga vazhdimet e ardhshme të seancës plenare.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për buxhetin për vitin 2024, në një seancë, e cila u braktis nga opozita. Nga 64 deputetë të pranishëm, 63 votuan pro, ndërsa një abstenoi. Projektligji ishte aprovuar nga Qeveria e Kosovës më 31 tetor, ndërsa shuma e paraparë buxhetore kap vlerën mbi 3.3 miliardë euro, nga 3.2 miliardë sa ishte këtë vit.