Deklaratën e prezantoi shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ku mes tjerash vlerësohet mbështetja e Parlamentit Evropian në lidhje me sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator.
“Kuvendi i Kosovës vlerëson lartë të gjitha qëndrimet politike dhe mbështetjen parimore të Parlamentit Evropian në lidhje me cenimin e integritetit territorial të Kosovës nga Serbia… Mbështet fuqishëm thirrjet dhe rekomandimet e PE-së për ta mbajtur përgjegjëse ndërkombëtarisht Serbinë si subjekt i hetimit ndërkombëtar në lidhje me shpalosjen e rolit dhe përfshirjes së saj, pjesë e së cilës është evidenca që konstaton porositjen, planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023. Pika 3: I bashkëngjitet kërkesës së PE-së që sa më parë të ekstradohen në Kosovë planifikuesit e sulmit dhe cilido subjekt që e ka asistuar realizimin e këtij sulmi terrorist që ka cenuar rendin Kushtetues të Kosovës. 4. Vlerëson lartë qëndrimet përmes të cilave nënvizohet rëndësia e heqjes së masave ndaj Kosovës dhe vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë. 5. Fton Parlamentin që të luajë rol ende më fuqishëm në lidhje me qëndrimin që mbajnë 5 vendet mosnjohëse që ta njohin pavarësinë e Kosovës. 6.Vlerëson lartë kritikën që pe i jep qasjes destruktive të Serbisë. 7. Fton PE të marrin në shqyrtim dhe të vlerësojnë aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat”, tha Tahiri.
Krahas kësaj, Kuvendi nuk miratoi rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, pasi vetëm 25 deputetë të opozitës votuan pro, kurse 59 deputetë të partisë në pushtet abstenuan.
Po ashtu, Kuvendi nuk miratoi as rezolutën në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave, pasi mazhoranca votoi kundër.