Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.
Për këtë projektligj kanë votuar 62 deputetë dhe të gjitha votat kanë qenë në mbështetje të tij.
Gjithashtu në këtë seancë, me 66 vota për është miratuar Projektligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.
Kuvendi i Kosovës ka formuar edhe komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb. PDK ka refuzuar të marr pjesë në këtë komision.
Me këtë ka përfunduar seanca e cila në rend dite kishte pikat e papërfunduara nga seanca e kaluar, ndërsa po vazhdojnë punimet e seancës së re plenare për themelimin e komisionit hetimor parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.