Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen të enjten në seancë plenare.
Në rend të ditës për shqyrtim janë edhe Projektligji për mbështetjen e punëve publike dhe ai për caktimin e çmimit tavan për produktet elementare, të cilat nuk u miratuan javën e kaluar.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se sipas rregullores së re të legjislativit, pikat për të cilat nuk ka kuorum kur të hidhen në votim, me automatizëm kalojnë si pika të para në seancën e radhës të rregullt.
“Sipas rregullores së re të Kuvendit, pikat për të cilat nuk ka kuorum kur hedhen në votim me automatizëm kalojnë si pika të para në seancën e radhës të rregullt. Andaj të tilla në seancën e 27 tetorit do të jetë votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta për destabilizimin në treg, po ashtu edhe votimi në parim i Projektligjit për mbështetjen e punëve publike”, tha Kusari-Lila.
Më kritik karshi punës së kryesisë u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se vendimmarrja për caktimin e seancave po merret me automatizëm nga kryetari i Kuvendit, pasi nuk ka kuorum në mbledhjen e kryesisë.
Ai kritikoi edhe Qeverinë e Kosovës për vonesat në miratimin e Projektligjit për paga.
“Realisht, është hera e gjashtë që ne dalim në konferencë për shtyp pas mbledhjes së kryesisë dhe nuk kemi çfarë të themi, pasi nuk ka kuorum dhe s’ka proces të vendimmarrjes. Kjo është plotësisht e papranueshme dhe po ashtu fatkeqësisht po bie në linjë edhe me vlerësimin që na ka dhënë Bashkimi Evropian. Ajo çka dua të theksoj të cilën në diskutim edhe e ngrita, ka të bëjë me ligjet vitale që s’po vijnë në Kuvend, njëri ndër ta është edhe Ligji i Pagave, i cili po shtyhet me të vetmin qëllim që të mos hyjë në zbatim në janar të vitit të ardhshëm. Shihet qartë se Qeveria ka dështuar dhe ajo si duket do të hyjë në zbatim më 1 janar 2024”, tha Tahiri.
Kuvendi i Kosovës mbajti edhe dje seancë plenare, ku shqyrtoi disa pika të mbetura nga seancat e kaluara.