Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare gjatë kësaj jave. Deputetët të mërkurën do të shqyrtojnë pikat e mbetura nga seancat e kaluara, të enjten do të mbahet seanca e re plenare, ndërkaq të premten pritet të mbahet seancë e veçantë plenare me vetëm pyetje parlamentare.
Nga partia në pushtet, theksuan nevojën e miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, derisa opozitarë thanë se do të kërkojnë përmes miratimit të një rezolute sigurimin shëndetësor për policët, pagesën e rrezikshmërisë, ligjin për pensionim të parakohshëm të policët dhe rritjen e koeficientit për paga te shërbyesit publik.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, kritikoi opozitarët, siç tha ai, për mosvotimin pa një arsye të qartë të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Kemi tri marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme. Njëra ndër nga ato është linja hekurudhore 10, pra hekurudha midis Fushë Kosovës dhe Mitrovicës. E dyta është ngrohja solare e Prishtinës dhe e treta që është e rëndësishme, rrjeti energjetik apo financimi i qeverisë gjermane për KOSTT. Këtu nuk kemi asgjë politike në kushte normale nuk duhet të kishte mospajtim mirëpo për këtë kërkohet edhe vota e opozitës. Kemi vërejtur një tendencë që nga marsi i këtij viti partitë opozitare nuk i votojnë pa dhënë ndonjë arsyetim të qartë se pse po ndodh”, tha ai.
Megjithatë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, nënvizoi sërish se nuk do të votojnë asnjë marrëveshje ndërkombëtare dhe se vendit i duhet një qeveri e re.
“Republika e Kosovës vazhdon të jetë nën sanksione. Këta po kërkojnë votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat nuk kanë mundësi të realizohen në situatën aktuale që jemi. Kryeministri Kurti nuk është njeriu që mund ta nxjerr Kosovën nga sanksionet. Ai e ka vendosur në sanksione dhe vendit i duhet një qeveri e re”, theksoi Tahiri.
Krahas kësaj, ai bëri të ditur se në seancën e së enjtes do të propozojnë një draft-rezolutë për siç tha kthimin e dinjitetit te policëve kosovarë.
“Do t’i prezantojmë Kuvendit një draft rezolutë e cila në radhë të parë brenda një periudhe të caktuar e obligon Qeverinë e Kosovës që t’i përfundojë shtesat që s’janë paguar tash e tetë muaj për Policinë e Kosovës, ky obligim ligjor. Pika e dytë e kësaj rezolute do të jetë po ashtu që nga 1 janari 2024 të ndajë buxhetin për sigurimet shëndetësore për Policinë e Kosovës. Kjo duhet të ndodhte për të gjithë qytetarët, por po e shohim se kjo nuk do të ndodh për të gjithë, por është e rëndësishme që të paktën të fillojë me Policinë e Kosovës. Tjetra që është agjendë ekskluzivisht agjendë e parlamentit është Ligji për pensionim të parakohshëm të Policisë së Kosovës, i cili duhet të hyjë në fuqi jo më pak se tridhjetë ditë që nga koha e miratimit të kësaj rezolute”, shtoi Tahiri.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se kanë mbledhur 40 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme, ku do të kërkojnë rritjen e koeficientit të Ligjit për paga nga 105 në 129 euro.
“Do të kërkojmë rritjen e koeficientit nga 105 deri në 129 euro. Të parët që do të preken dhe që do të ndikon në rritjen e pagave janë policët e Kosovës. E shohim tepër të rëndësishme që tani të kalojmë prej fjalëve në vepra, në një përgjigje të një situate e cila është shumë problematike, në veçanti për një numër të madh të shërbyesve civil. Në këtë funksion besoj se do të kemi mbështetje nga të gjithë deputetët përfshirë edhe deputetët e shumicës”, deklaroi ai.
Ndërkaq, bëri të ditur se nesër do të thërrasin një tryezë diskutimi në Kuvend për gjendjen e sigurisë në vend dhe reflektimet pas sulmit terrorist në veri më 24 shtator.