UBT News

​Kuvendi i Maqedonisë konstatoi dorëheqjen e Kovaçevskit dhe Xhaferit

Deputetët në seancën e sotme të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, konfirmuan dorëheqjet e kryeministrit, Dimitar Kovacevski dhe kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.

“Dorëheqja e kryeministrit sjell dhe dorëheqjen e Qeverisë. Konstatoj se kryetarit të Qeverisë dhe Qeverisë i mbaron mandati. Qeveria mbetet në detyrë derisa të zgjidhet qeveria e re”, tha Misovski.

E njëjta procedurë është bërë edhe me dorëheqjen e Talat Xhaferit.

“Konstatoj se deputetit Talat Xhaferi i ka pushuar pozita”, tha Misovski.

Kovaçevski dhe Xhaferi, siç theksoi nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski, deklaruan se nuk do të elaborojnë dorëheqjet e tyre.

Konstatimi i dorëheqjeve të Kovaçevskit dhe Xhaferit u duartrokit nga shumica e deputetëve.

Në vazhdim të seancës, deputeti i LSDM-së, Martin Kostovski, elaboroi propozimin që Jovan Mitreski, koordinator aktual i grupit parlamentar të LSDM-së, të zgjidhet kryetar i ri i Kuvendit.

Në bazë të Rregullores së punës, kryetar i Kuvendit zgjidhet kandidati që ka marrë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Pas zgjedhjeve dhe betimit solemn, Xhaferi pritet t’ia dorëzojë postin Mitreskit.

Ndërkohë koordinatori i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski deklaroi se deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk do ta mbështesin Mitreskin për kryetar të Kuvendit.

Exit mobile version