Kuvendi i Kosovës ka formuar edhe komisionin hetimor për energjinë të iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se afati kohor i këtij komisioni hetimor parlamentar do të jetë prej vitit 2006.
“Analiza e rrethanave në sektorin e energjisë nuk mund të bëhet në periudha afatshkurta, por duhet shkuar prapa në kohë dhe a analizuar procesin e vendimmarrjes. Gjegjësisht, çfarë dhe si erdhëm në situatën në të cilën mungesa e investimeve dhe procesi i vendimmarrjes e ka sjellë Kosovën të përballet me një krizë energjetike nga jashtë me kufizime të mëdha nga brenda… Afati kohor i këtij komisioni hetimor parlamentar do të jetë prej vitit 2006, prej kur kanë filluar vendimet përmbajtjesore për sektorin e energjisë në Kosovë”, tha ajo.
Përkrahje formimit të komisionit i dhanë edhe grupet e tjera parlamentare nga opozita.
Kryesues i këtij komisioni do të jetë deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa. Ndërsa, anëtarë nga LVV do të jenë, Armend Muja, Haki Abazi, Arbër Rexhaj dhe Halil Thaçi. Anëtar tjetër nga PDK do të jetë edhe Rashit Qalaj, ndërsa nga LDK, Armend Zemaj dhe Rrezarta Krasniqi, kurse nga AAK, Time Kadrijaj. Anëtarë në këtë komision do të jenë edhe dy deputetë nga komunitetet jo shumicë në Kosovë.