UBT News

“Kuvend e Qeveri sa më parë – të gjendet kompromisi”, thirrja e ambasadorit francez për liderët e Kosovës

Në fjalimin e tij në pritjen me rastin e Festës Kombëtare të Francës, ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka dhënë dy mesazhe kryesore.

Në një mesazh të drejtpërdrejtë për lidershipin politik të Kosovës, duke kërkuar zhbllokimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Duke folur para përfaqësuesve institucionalë, partiakë, trupit diplomatik, shoqërisë civile dhe mediave, ambasadori theksoi se partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë Francën, kanë nevojë për institucione funksionale për të ecur përpara me bashkëpunimin konkret.

“Për të nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshje të rëndësishme, na duhet një Kuvend dhe na duhet një Qeveri e mbështetur nga ky Kuvend”, tha Guerot, duke theksuar se vonesat aktuale rrezikojnë zbatimin e projekteve milionëshe të planifikuara nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) dhe institucione tjera franceze.

Ai vlerësoi bashkëpunimin me institucionet kosovare si Gjykata Kushtetuese, Ministria e Ekonomisë, Akademia e Drejtësisë dhe Policia e Kosovës, por shtoi se progresi i mëtejshëm kërkon stabilitet institucional dhe vendimmarrje politike.

“Franca dhe vendet mike kanë nevojë për partnerë të qartë dhe funksionalë. Integrimi evropian kërkon dialog të lehtësuar nga BE-ja, dhe për këtë duhet Kuvend e Qeveri”, shtoi ambasadori.

Ambasadori Guerot iu drejtua të gjitha forcave politike në vend me një thirrje për kompromis dhe përgjegjësi demokratike, duke shtuar se qytetarët nuk janë të kënaqur me ngërçin e krijuar pas zgjedhjeve.

“Ftoj të gjithë udhëheqësit politikë, pa përjashtim, pavarësisht partisë apo komunitetit, që të gjejnë rrugën për të dalë nga ngërçi institucional. Nuk ka më kohë për bllokada”, tha ai.

Ky është një prej mesazheve më të qarta dhe më të drejtpërdrejta që vjen nga një përfaqësues i shtete mike për situatën politike në Kosovë pas më shumë se 40 tentimeve të dështuara për konstituimin e Kuvendit që nga 9 shkurti.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori theksoi edhe angazhimin e vazhdueshëm të Francës në përkrahje të organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht atyre që merren me çështje të barazisë gjinore.

“Franca zhvillon diplomaci feministe në Kosovë dhe në të gjithë botën. Gjatë katër viteve të fundit, Franca ka qenë një nga donatorët kryesorë në këtë fushë, duke mbështetur 1,400 organizata”, tha ai.

Ai përmendi bashkëpunimin me OJQ-të feministe, mbështetjen për mediat e pavarura dhe shumëprojekte që ndihmojnë në fuqizimin e të rinjve, barazinë dhe multietnicitetin në vend.

Po ashtu, ai vlerësoi punën e Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), e cila brenda 18 muajve në Kosovë ka përgatitur disa projekte ambicioze dhe ka nënshkruar memorandume mirëkuptimi me ministritë përkatëse. Projektet kapin vlerën e dhjetëra milionë eurove dhe presin vetëm konstituimin e institucioneve për të filluar zbatimin.

“Franca mbështet një Kosovë multietnike. Për këtë, komunitetet duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe mediat e lira janë sektorë kyç për këtë bashkëjetesë”, theksoi Guerot mes tjerash.

Ai ka përmendur edhe punën e kryer nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), e cila, në 18 muajt e saj në Kosovë, ka zhvilluar tashmë disa projekte shumë ambicioze.

“Janë nënshkruar dy memorandume mirëkuptimi midis AFD-së dhe ministrive. Pres me padurim finalizimin e kësaj pune, e cila arrin në dhjetëra milionë euro”, ka shtuar ambasadori francez. /Telegrafi/.

Exit mobile version