1 politikan dhe mbi 10 kompani shqiptare janë në mesin e një grupi firmash dhe personalitetesh botërore që janë zbuluar se kryejnë manovra financiare jashtë vendit.
“Letrat e Pandorës” është investigimi më i ri i mbi 600 gazetarëve që tregon se si i shmangin taksat dhe si e fshehin pasurinë më të pasurit e botës.
Me dhjetëra politikanë, liderë bote, edhe biznese shqiptare, janë zbuluar se po e fshehin pasurinë në parajsa fiskale ose në emër të personave të tjerë, transmetonOra News.
Asetet e miliarderëve të botës u ekspozuan të dielën nga një investim që përfshiu mbi 600 gazetarë.
Projekti i njohur si “Letrat e Pandorës” tregon se janë rreth 35 udhëheqës aktualë dhe të mëparshëm, më shumë se 300 zyrtarë, mes tyre presidenti i Rusisë, i Ukrainës, i Malit të Zi që i transferuan asetet në kompani sekrete jashtë vendit.
Nga kompanitë që përfituan prej marrëveshjeve sekrete janë edhe 13 biznese dhe një politikan nga Shqipëria.
Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë hetoi gati 12 milionë dosje konfidenciale me imazhe, tabela dhe materiale audio-vizive.
Ato lidhin presidentin rus Vladimir Putin me asete sekrete në Monako; nxjerrin kryeministrin çek Andrej Babish si pronar të një kompanie investimesh të padeklaruar; tregojnë se Mbreti Abdullah i Jordanisë përdori firma private për të blerë milionë dollarë prona në Britani e SHBA; zbulojnë presidentin malazez, Milo Gjukanoviq dhe djalin e tij që fshehën pasuritë te kompanitë angleze, zvicerane dhe parajsat fiskale.
Kabineti i presidentit Gjukanoviq i quajti pretendimet të pavërteta dhe përpjekje për ta diskredituar atë dhe familjen e tij.
Letrat e Pandorës” cilësohet si investigimi më i madh në historinë e gazetarisë dhe tregon edhe një herë se si sistemi fiskal botëror shfrytëzohet nga më të pasurit me marrëveshje të fshehta për qëllime evazioni ose për larjen e parave të pista.
Publikimi i fundit nga Konsorciumi i Gazetarëve Investigativë vjen pesë vjet pas “Letrave të Panamasë”.