UBT News

Kushtetuesja thotë se tri gjykata ia cenuan të drejtat ish-ambasadorit Kastrati në rastin e padisë ndaj presidentes

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shqyrtuar kërkesën e Avni Kastratit lidhur me lirimin nga detyra e ambasadorit të Kosovës në Slloveni, përmes së cilës ka kërkuar të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të 22 shtatorit 2021.

Kushtetuesja ka konstatuar se tri shkallët e para të gjykatës ia kanë shkelur të drejtat kushtetuese Kastratit.

Kushtetuesja konstaton se pasi gjykatat e shkallëve të tjera nuk ishin marrë me rastin, Kastrarit i është mohuar e drejte për “qasje në drejtësi” në cenim të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Gjykata, duke aplikuar këto parime në rrethanat e rastit konkret, konstatoi se dekreti i kontestuar i Presidentes për lirimin nga pozita të parashtruesit të kërkesës, ngërthente të drejta civile të parashtruesit të kërkesës dhe kontest apo mosmarrëveshje në kuptim të së drejtës për gjykimit të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe për pasojë, dhe edhe duke u bazuar në dispozitat Kushtetuese dhe legjislacionin e aplikueshëm, i takon grupit të dekreteve të karakterit individual të cilat mund të kontestohen në gjykatat e rregullta”.

“Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se hedhja poshtë e padisë së parashtruesit të kërkesës si e palejuar, i kishte pamundësuar atij të drejtën për “qasje në drejtësi” në cenim të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Kundër dekretit të presidentes, Kastrati kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kjo e fundit e kishte hedhur poshtë padinë si të palejuar, ndër tjerash, me arsyetimin se sipas dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative, një dekret i presidentes nuk mund të jetë objekt vlerësimi në procedurën e konfliktit administrativ, por i njëjti mund t’i nënshtrohet vetëm procedurës së vlerësimit të kushtetutshmërisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi i Gjykatës Themelore ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.

Avni Kastrati ishte emëruar Ambasador me dekret të ish-Presidentit të Republikës së Kosovës. Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.

Kastrati ka qenë Kryetar i Komunës së Mitrovicës, kryetar i Degës së PDK-së në Mitrovicë dhe anëtar i këshillit drejtues të kësaj partie.

Dymbëdhjetë ambasadorë të Kosovës që kanë qenë të angazhuar nëpër misione diplomatike nëpër botë, janë shkarkuar në maj të viti 2021 nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas kërkesës së Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Exit mobile version