Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, deri më 15 dhjetor.
11 deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës kishin parashtruar kërkesën në Kushtetuese kundër vendimit të 30 qershorit, me të cilin deputetët e Kosovës votuan pro shkarkimit të pesë anëtarëve të KPMSHC-së. Ata shprehën pretendimet se vendimi është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Kushtetuesja sot ka njoftuar se ka vendosur masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 15 dhjetor të këtij vendimi të Kuvendit, të cilin vendim e ka pezulluar menjëherë.
Vendimi specifikon që Kuvendi duhet të përmbahet nga çdo veprim lidhur me çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të rinj.