Dylbitë po i përdor për të parë se kush janë personat në kodër. Raportimet në media, si në ato të Kosovës ashtu edhe në ato të Serbisë, janë për prezencë të xhandarmërisë serbe pranë pikave kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut. Megjithatë, Beogradi zyrtar pretendon të kundërtën, pavarësisht se ka prova me fotografi dhe video.
“A e dërgoi Serbia ushtrinë? A e dërgoi Serbia policinë? A sulmoi Serbia dikë? A bëri Serbia ndonjë veprim të njëanshëm? Ne nuk bëmë asnjë nga këto”, tha Vuçiç.
Serbia nuk lëvizë nga qëndrimi lidhur me çështjen e targave, teksa presidenti, Aleksandër Vuçiç, iu përgjigj thirrjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare. Për t’u ulur në tryezën e negociatave në Bruksel, kërkon heqjen e reciprocitetit.
“E kuptoni se çfarë po flet ai? Po flet për njerëz që nuk janë të njohur me faktet dhe po shet mjegull. I njoh të gjithë llojet e atyre që shesin mjegull dhe shkesëve në jetën time dhe prandaj i njoh ata sapo i shoh. Ai thotë se do t’i heqë masat kur Serbia të njohë Kosovën e pavarur”, u shpreh presidenti i Serbisë.
Pretendon se as shenjtorët nuk ia ndryshojnë qëndrimin. “Ne i kemi përmbushur detyrimet, ndërsa Prishtina jo, dhe kjo është më e rëndësishmja. Edhe Shën Pjetri të më telefonojë, nuk do të ma ndryshojë mendjen, pasi zgjidhja e vetme është tërheqja e njësive speciale, në të kundërt nuk do të flasim”.
Ndër kushtet e vendosura nga Serbia për Kosovën, që të rinisë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, është dhe formimi i asosacionit të komunave serbe.