UBT News

Kush janë 12 ambasadorët e shkarkuar?

Dymbëdhjetë ambasadorë të Kosovës që kanë qenë të angazhuar nëpër misione diplomatike nëpër botë, janë shkarkuar mbrëmë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas kërkesës së Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Express sjell profilet e ambasadorëve të shkarkuar dhe lidhjet e tyre me politikën.

Kosova ka mbetur pa ambasadorë në 12 shtete. Ata janë shkarkuar me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për siç ka thënë Gërvalla, lidhjen e tyre me politikën.

Disa nga ambasadorët e shkarkuar kanë lidhje me Partinë Demokratike të Kosovës, disa me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e disa me Aleancën Kosova e Re.

Nait Hasani

Një prej diplomatëve që është shkarkuar është ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani. Ai është emëruar në këtë pozitë në nëntor të vitit 2019.

Hasani ka qenë deputet i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ka qenë një kohë edhe anëtar i Kryesisë së PDK’së.

Lirim Grajçevci

Osmani ka shkarkuar nga misioni diplomatik edhe Lirim Grajçevcin, ambasador i Kosovës në Hagë.

Këtë detyrë Grajqevci e ka marrë gjatë gushtit të vitit 2018. Më parë ai ka qenë ambasador në Britaninë e Madhe.

Para se të niste punën nëpër misione të rëndësishme diplomatike, Grajqevci ka qenë i lidhur ngushtë me Partinë Demokratike të Kosovës. Ai ka qenë edhe këshilltar dhe përkthyes i Hashim Thaçit, sa ishte kryeministër.

Avni Kastrati

Tjetër diplomat që është shkarkuar shkaku i lidhjeve me politikën është edhe ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati.

Ai ishte emëruar Ambasador me dekret të ish-Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.

Kastrati ka qenë Kryetar i Komunës së Mitrovicës, kryetar i Degës së PDK’së në Mitrovicë dhe anëtar i këshillit drejtues të kësaj partie.

Hajdin Abazi

Lidhje me Partinë Demokratike të Kosovës ka edhe Hajdin Abazi, i cili u shkarkua nga pozita e ambasadorit të Kosovës në Australi. Ai ka qenë deputet nga radhët e kësaj partie.

Në dekretin e nënshkruar nga ish-presidenti Hashim Thaçi, thuhej se Abazi emërohet Ambasador/Shef i Misionit Diplomatik të Kosovës në Komonuelthin e Australisë, me seli në Canbera. Dekreti mban datën e 7 nëntorit të vitit 2018.

Gëzim Kasapolli

Mbrëmë është shkarkuar edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli.

Para se ta merrte këtë pozitë, Kasapolli ka qenë këshilltar i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit. Ai ka qenë edhe ish-zëdhënës i Partisë Socialdemokrate që në atë kohë drejtohej nga Agim Çeku dhe ish-zv.ministër i Integrimeve.

Përveç ambasadorëve të shkarkuar që kanë lidhje me PDK’në, Presidentja Vjosa Osmani, ka shkarkuar edhe ambasadorët që njihen për afërsinë e tyre me partinë e Ramush Haradinajt.

Avni Arifaj

Ish-këshilltari kryesor i Ramush Haradinajt dhe ish-shefi i ekipit negociator në dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë, Avni Arifaj, është një prej diplomatëve që është shkarkuar mbrëmë. Pozitën e ambasadorit ai e ka ushtruar që nga viti 2019.

Arifaj e kishte ushtruar edhe pozitën e shefit të stafit politik të ish-kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Arbër Vllahiu

Përveç Arifajt, Presidentja Vjosa Osmani ka shkarkuar edhe ish-këshilltarin tjetër të Ramush Haradinajt, Arbër Vllahiun. Vllahiu ka qenë i ngarkuar me punë të Kosovës në Pragë që nga viti 2018.

Para se të merrte këtë pozitë, ai ka qenë këshilltar politik i Haradinajt, derisa më herët ka qenë edhe shef i stafit të ish-presidentes, Atifete Jahjaga.

Shpend Kallaba

Edhe ambasadori i Kosovës në Budapest, Shpend Kallaba, është në listën e atyre që Presidentja Vjosa Osmani e ka larguar shërbimi diplomatik. Kallaba është shkarkuar nga pozita e ambasadorit të Kosovës në Hungari.

Kallaba ishte këshilltar i Behgjet Pacollit, para se të bëhej ambasador në Sofje të Bullgarisë në vitin 2012.

Ai është vjehrri i Bubulina Krasniqit, motrës së deputetit të PDK-së, Memli Krasniqit, e cila ishte angazhuar në ambasadën e Kosovës në Budapest, bashkë me vjehrrin.

Amir Ahmeti

Lidhje me kreun e AKR’së ka edhe ambasadori tjetër i shkarkuar, Amir Ahmeti.

Ahmeti i cili ushtronte pozitën shef i Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Katar, më herët ka qenë këshilltar politik i Pacollit. Ai ishte emëruar në këtë pozitë në shkurt të vitit 2019.

Beqë Cufaj

Në mesin e të shkarkuarve është edhe Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj.

Ai është emëruar Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, më 1 qershor të vitit 2018. Emërimi i tij ishte bërë me propozim të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Gjergj Dedaj

Shkarkimit nuk i ka shpëtuar as Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj. Ai ishte emëruar si ambasador në gusht të vitit 2018 nga ish-presidenti Hashim Thaçi.

Para kësaj pozite, ai ka qenë zëvendës i Behgjet Pacollit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ylber Hysa

Listën e përmbyll Ylber Hysa, ambasador i Kosovës në Malin e Zi. Ai u dekretua nga ish-Presidenti Thaçi, me propozim të ish-kryediplomatit Behgjet Pacolli, në krye të misionit një vit më parë. Hysa nga viti 2012 ka qenë ambasador i Kosovës në Shkup.

Gjatë periudhës 2003-2007, ai ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës nga partia ORA.

Në vitin 2007, ai ka qenë edhe kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Ndryshe, për shkarkimin e këtyre 12 ambasadorëve është deklaruar sot Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Gërvalla ka thënë se lirimet e fundit nga detyra të ambasadorëve të emëruar mbi baza politike, përbëjnë vetëm një hap në reformën e thellë që do t’i bëhet shërbimit diplomatik të Kosovës.

“Lirimi nga detyra dhe tërheqja e ambasadorëve të emëruar politikë është bërë në frymën e programit të miratuar qeveritar, i cili parasheh reformimin e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe respektimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ligjit për shërbimin e jashtëm të Kosovës”, ka thënë ajo përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social Facebook.

Sipas Gërvallës, ky vendim krijon hapësirën e domosdoshme për përmbushjen e obligimit ligjor që së paku 50 për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve të jenë nga anëtarë të shërbimit të jashtëm të Kosovës.

“Ky është vetëm një hap në reformën e thellë të shërbimit diplomatik të Kosovës. Ai do të pasohet nga vendimet tjera në nivelin strukturor të ministrisë dhe do të mbështetet nga legjislacioni i ri, i cili do të ristrukturojë shërbimin diplomatik sipas standardeve ndërkombëtare”, ka thënë mes tjerash ajo.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu ka miratuar më 19 maj, propozimin e Qeverisë së Kosovës për lirim të këyre ambasadorëve.

Exit mobile version