Nënkryetari i Hamasit, grupi palestinez që kontrollon Rripin e Gazës u vra në një shpërthim në Liban. Lajmi u konfirmua edhe nga një zyrtar i lartë i Hamasit për BBC. Mediat lokale thanë se Saleh al-Arouri u vra në një sulm me dron të izraelitëve në jug të kryeqytetit, Bejrut.
Arouri është figura më e lartë e Hamasit që është vrarë qëkur Izraeli hyri në luftë me Hamasin pas sulmit të tij të 7 tetorit. Atë ditë, njerëz të armatosur të Hamasit pushtuan Izraelin dhe sulmuan komunitetet përreth kufirit duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë rreth 240 pengje gjatë tërheqjes në Gaza. Izraeli nisi një ofensivë ushtarake si kundërpërgjigje, me qëllimin e deklaruar për të shkatërruar Hamasin. Që atëherë, më shumë se 22 mijë palestinezë – kryesisht gra dhe fëmijë – janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza.
Agjencia shtetërore e lajmeve libaneze tha se një dron izraelit goditi një zyrë të Hamasit në periferinë jugore të Bejrutit, të martën mbrëma. Një dëshmitar i konfirmoi agjencisë së lajmeve Reuters se pa zjarrfikës dhe mjekë të mbledhur rreth një ndërtese të lartë ku kishte një vrimë të madhe në atë që dukej të ishte kati i tretë. Pamjet e hedhura në mediat sociale treguan një makinë në flakë dhe dëmtime të mëdha në ndërtesa në atë që është një zonë banimi e frekuentuar.
Dahiyeh njihet si një bastion i grupit militant shiit libanez Hezbollah, një armik i deklaruar i Izraelit dhe aleat i Hamasit. Izzat al-Rishq, një anëtar i udhëheqjes politike të Hamasit, e quajti vrasjen e Arourit një “vrasje frikacake”. Izraeli nuk ka komentuar dhe ushtria izraelite i tha BBC-së se nuk do të komentonte raportimet e mediave të huaja. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar të eliminojë liderët e Hamasit, kudo që të jenë.
Arouri, 57 vjeç, ishte nënkryetari i byrosë politike të Hamasit dhe konsiderohej udhëheqësi “de fakto” i krahut ushtarak të Hamasit në Bregun Perëndimor ku mbikëqyrte sulmet. Ai besohet të ketë qenë i përfshirë edhe në rrëmbimin dhe vrasjen e 3 adoleshentëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar në vitin 2014. Ai kishte vuajtur një dënim në burgjet izraelite për sulme të tjera. “Times of Israel” thotë se ai ishte gjithashtu një nga zyrtarët e Hamasit më të lidhur me Iranin dhe Hezbollahun./Lapsi.al