Zgjedhjet Presidenciale në Maqedoninë Veriore do të vazhdojnë në raundin e dytë. Në zgjedhjet që u mbajtën të mërkurën, kandidati shqiptar nga Fronti Evropian, Bujar Osmani, doli i treti, ndërsa kandidati tjetër shqiptar nga koalicioni VLEN u rendit në vendin e katër. Balotazhi do të mbahet mes Siljanovska Davkova dhe Stevo Pendarovski.
Gordana Siljanovska Davkova e mbështetur nga VMRO-DPMNE, dhe Stevo Pendarovski i mbështetur nga LSDM, do të shkojnë në balotazh në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë Veriore.
Siljanovska Davkova, sipas rezultateve fillestare jozyrtare të Komisionit shtetëror zgjedhor nga votat e numëruara, ka fituar 349.746 vota – 40,23 përqind, përderisa Pendarovski 173,612 vota përkatësisht 19,97 përqind.
Në këto zgjedhjet, shqipatër garuan me dy kandidatë, Bujar Osmani nga Fronit Evropian dhe Arben Taravari nga koalicion VLEN.
Osmani nga BDI mori 116.319 vota (13,38), më pas Arben Taravari me 81.671 (13,38).
Ndërsa, Maksim Dimitrievski nga ZNAM me 76.894 (8,85), Biljana Vankovska me 39.660 (4,56) e mbështetur nga E Majta, dhe me më së paku vota është Stevço Jakimovski nga GROM me 7.898 vota.
Çka thanë Osmani e Taravari?
Bujar Osmani pak orë pasi dolën rezultate e para, shpalli fitoren e Frontit Evropian.
Osmani tha se që kanë shënuar fitore pothuajse në çdo komunë, teksa e pati një porosi për kundërshtarin të tij Arben Taravarit nga VLEN.
“Arben pavarësisht goditjeve të ulëta patëm një fushatë të ndershme dhe fer që me dinjitet sot të pranohet humbja dhe poashtu dhe fitorja. Vullneti i popullit është ai që përcakton karierat tona. Duhet të pranojmë këtë vullnet por edhe mesazhin që e dërguan sot shqiptarët dhe gjitha komunitetet tjera.” – ka thënë Osmani.
Nga ana tjetër, Arben Taravari, kandidat i koalicionit VLEN, ka thënë se ‘ata janë fitues të votës shqiptare’.
Kështu tha Taravari në një deklaratë për gazetarë:
“Jemi fitues të votës shqiptare. VLEN është përfaqësues i vetëm në qeverinë e ardhshme. BDI e ka humbur legjitimitetin te shqiptarët prandaj në zgjedhjet e 8 majit ne do të fitojmë. Do ta përmbysim rezultatin që sot BDI e mori me metoda kriminale. Ne treguam që jemi opsion demokratik që respektojmë vlerat evropiane. Me angazhimin e madh për ndryshim do ta kthejmë situatën. BDI arriti ta shkatërrojë mundësinë që presidenti të zgjidhej me zgjedhje të drejtpëdrejta. BDI do të shkruhet me shkronja të zeza në historinë e re politike, si një parti që punon për interesa të saj.” – ka thënë ai.
Këto zgjedhje patën vëmendje të madhe edhe në Kosovë, për shkak se Qeveria e Kosovës bashkë me kryeministrin, Albin Kurti, dolën hapur në përkrahje të kandidatit, Arben Taravari.
Ndaj Kurtit pati shumë kritika për përçarjen e shqiptarëve atje dhe humbjen e një mundësi që presidenti të jetë shqiptar.