Naftali Bennett, i cili është betuar të dielën si kryeministër i ri i Izraelit, mishëron shumë prej kundërthënieve që definojnë kombin 73 vjet të vjetër.
Ai është hebre fetar, që ka bërë milionat në sektorin kryesisht laik të teknologjisë, kampion i zgjerimit të vendbanimeve izraelite, por që jeton në një lagje në Tel Aviv dhe ish-aleat i Benjamin Netanyahut, që ka bashkëpunuar me partitë e qendrës dhe ato të krahut të majtë për t’i dhënë fund udhëheqësisë 12-vjeçare të këtij të fundit.
Partia e tij ultranacionaliste, Yamina ka fituar vetëm shtatë ulëse në parlamentin me 120 të tilla në zgjedhjet e muajit mars – të katërtat në vetëm dy vjet. Mirëpo, duke refuzuar që të ofrohet me Netanyahun apo kundërshtarët e tij, Bennett e ka pozicionuar veten si lojtar kryesor. Edhe pasi një anëtar i partisë së tij nacionaliste fetare e ka braktisuar atë për të protestuar marrëveshjen e re të koalicionit, ai ka përfunduar me ‘kurorë në kokë’.
Ultranacionalist me koalicion të moderuar
Bennett e ka pozicionuar veten për kohë të gjatë krah Netanyahut. Mirëpo, ai tani do të kufizohet nga koalicioni i tij me shumicë të thjeshtë në parlament që përbëhet nga partitë e të djathtës, të majtës dhe qendrës.
Ai kundërshton pavarësinë e palestinezëve dhe mbështet fuqishëm vendbanimet hebreje në Bregun Perëndimor në Jerusalemin lindor, të cilin palestinezët dhe një pjesë e mirë e komunitetit ndërkombëtar, e konsiderojnë si pengesë të madhe për paqe.
Bennett ka kritikuar ashpër Netanyahun pasi ky i fundit, sa ka qenë kryeministër, është pajtuar për të ngadalësuar shpejtësinë e ndërtimit të vendbanimeve nën presion e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, i cili ka tentuar, por ka dështuar të jetësojë një proces të paqes gjatë mandatit të parë si president i SHBA-së.
Ai ka shërbyer shkurt si kryetar i Këshillit për vendbanime në Bregun Perëndimor, Yesha, para se të hynte në parlament më 2013. Bennett ka shërbyer më vonë si ministër në kabinetin e Ministrisë për Çështje të Diasporës, Edukimit dhe Mbrojtjes, në disa qeveri të udhëhequra nga Netanyahu.
“Ai është lider i krahut të djathtë, pjesëtar i linjës së ashpër të sigurisë, mirëpo në të njëjtën kohë edhe pragmatik”, ka thënë Yohanan Plesner, udhëheqës i Institutit të Izraelit për Demokraci, që ka njohur Bennettin për dekada dhe ka shërbyer me të në ushtri.
Ai pret që Bennett të angazhohet me fraksione tjera për të gjetur “një faktor të përbashkët”, teksa tenton të fitojë përkrahje dhe legjitimitet si lider i kombit.
Rivaliteti me Netanyahun
Bennett, 49-vjeçar është baba i katër fëmijëve, ndjek linjën e ashpër sikurse Netanyahu sa i përket Lindjes së Mesme, mirëpo të dy kanë pasur marrëdhënie të tensionuara përgjatë viteve.
Bennett ka shërbyer si shef i stafit të Netanyahut për dy vjet, mirëpo të dy kanë ndarë rrugët pas një misteri që mediat izraelite e kanë lidhur me gruan e Netanyahut, Sara, e cila ka ndikim tejet të madh në rrethin e ngushtë të burrit të saj.
Bennett ka nisur fushatën si politikan i krahut të djathtë para zgjedhjeve të muajit mars dhe është zotuar para televizionit kombëtar, duke thënë se nuk do ta lejonte kurrë Yair Lapid, rivalin kryesor të Netanyahut, që të bëhej kryeministër.
Mirëpo kur është bërë e qartë se Netanyahu nuk mund të formonte koalicionin qeverisës, kjo ka qenë pikërisht ajo që ka bërë Bennett, duke u pajtuar që të shërbejë si kryeministër për dy vjet, para se t’ia dorëzojë mandatin Lapid, i cili konsiderohet arkitekt i koalicionit të ri.
Mbështetësit e Netanyahut e kanë shpallur Bennettin si tradhtar, duke thënë se ai ka mashtruar votuesit. Bennett ka mbrojtur vendimin e tij, duke e konsideruar pragmatik, me qëllim të bashkimit të shtetit dhe anashkalimit të raundit të pesë të zgjedhjeve.
Ndyshim gjeneratash
Bennett, hebre ortodoks modern, do të jetë kryeministri i parë i Izraelit që vendos vazhdimisht kapelën, e cila karakterizon hebrenjtë. Ai jeton në lagjen Raanana të Tel Avivit.
Ai ka nisur jetën në Haifa, me prindër të lindur në Shtetet e Bashkuara, dhe më pas ka kaluar kohën me familjen mes Amerikës Veriore dhe Izraelit, ka kryer shërbimin ushtarak, ka kryer studimet për çështje ligjore dhe ka punuar në sektorin privat.
Përgjatë kësaj kohe, ai e krijuar një imazh për veten si zyrtar modern, fetar dhe nacionalist.
Pas shërbimit në njësitin elitë Sayeret Matkal, Bennett ka kryer studimet për çështje ligjore në Universitetin e Hebrenjve. Më 1999, ai ka bashkudhëhequr një kompani softuerike Cyota, e cila i është shitur kompanisë amerikane në fushën e sigurisë RSA për 145 milionë dollarë më 2005.
Bennett ka thënë se përvoja e keqe e luftës së vitit 2006 në mes të Izraelit dhe grupit militant Hezbollah e ka shtyrë atë në politikë. Lufta e gjatë për disa muaj nuk ka pasur ndonjë përfundim dhe udhëheqësia e asaj kohe është kritikuar ashpër.
Bennett përfaqëson gjeneratën e tretë të liderëve izraelitë, pas themeluesve të shtetit dhe gjeneratës së Netanyahut, e cila ka ardhur në pah gjatë viteve të tensionuara, të shënuara me luftëra të përsëritura me shtetet arabe.
“Ai është izraelit i versionit 3.0”, ka thënë Anshel Pfeffer, kolumnist për gazetën e krahu të majtë Haaretz.
“Një nacionalist hebre, por jo në të vërtetë dogmatik. Pak fetar, por jo i devotshëm. Njeri i ushtrisë që preferon jetën civile urbane dhe ndërmarrës që nuk synon të bëjë miliona. Mbështetës i Tokës së Madhe të Izraelit, por jo banor i zonës së vendbanimeve të zgjeruara. Dhe mund të mos jetë as politikan për kohë të gjatë po ashtu”.
Burimi: Radio Evropa e Lire