UBT News

Kush është Mira Murati, shqiptarja që qëndron prapa zhvillimit të Inteligjencës Artificiale?

Me ChatGPT, OpenAI shënoi histori suksesi të paparë. Mira Murati, një grua nga Shqipëria, është shumë e rëndësishme në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.

Kompania OpenAI ka shkaktuar bujë me bashkëbiseduesin e mençur të inteligjencës Artificiale të njohur si “ChatGPT”. Inteligjenca artificiale pushtoi internetin me natyrën elokuente dhe përgjigjet progresive – madje kaloi pa problem edhe një provim përfundimtar në njërin prej universiteteve elitare botërore.

Teknologjia bazë është nën drejtimin e Mira Muratit. Si kryeshefe e Teknologjisë, ajo drejton zhvillimin dhe zbatimin e teknologjisë së OpenAI. Për shkak të kësaj, ajo konsiderohet si një nga gratë më me ndikim në industrinë e AI. Por kush është ajo?

Mira Murati u lind në Shqipëri në vitin 1988. Edhe si fëmijë, ajo shfaqi interes për matematikën dhe zbatimin e saj praktik. Megjithatë, kishte një problem: “Kur u rrita në Shqipëri, nuk kishte shumë mundësi, që teorinë ta aplikoje në praktikë”, shpjegoi Murati në një video në “YouTube”, shkruan 20 minuten.

Për këtë arsye, ajo u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku studioi inxhinierinë në Kolegjin Dartmouth në New Hampshire. Më pas Murati nisi karrierën e saj profesionale si analiste në gjigantin e investimeve “Goldman Sachs”, para se të niste karrierën në industrinë e teknologjisë. Ajo ka mbajtur pozita në kompani të ndryshme, përfshirë edhe postin e menaxheres së lartë të produkteve për Modelin X në Tesla e po ashtu zëvendëspresidente e inxhinierisë në Leap Motion.

Në vitin 2018, ajo iu bashkua Open AI. Ajo ka mbajtur pozitën e zhvillimit e zbatimit të teknologjisë që nga maji i vitit 2022 dhe është përgjegjëse për zhvillimin e ChatGPT, përveç tjerash. Ajo është optimiste për zhvillimin e teknologjisë, por sheh edhe rreziqet që mund të vijnë nga ajo.

“AI mund të keqpërdoret, ose mund të përdoret nga akterë me qëllime të dyshimta”, deklaroi Murati në një intervistë.

Për këtë arsye ajo po angazhohet në rregullimin e inteligjencës artificiale.

Pyetja e saj kryesore është: “Si ta rregulloni përdorimin e inteligjencës artificiale në një mënyrë që të jetë në përputhje me vlerat njerëzore?”

Përgjigjet për këtë pyetje nuk duhet të jepen vetëm nga një kompani si OpenAI, por edhe nga rregullatorët dhe qeveritë. Për këtë arsye ajo nuk e përkrah mendimin se është herët që qeveritë të ndërhyjnë.

“Marrë parasysh ndikimin që do të kenë këto teknologji, është shumë e rëndësishme që të gjitha të përfshihen”, thotë Murati./UBTNews/

Exit mobile version