UBT News

Kush është Liz Truss, kryeministrja e re e Britanisë së Madhe?

Lizz Truss zyrtarisht u bë kryeministrja e re e Britanisë së Madhe të martën pasi Boris Johnson dha dorëheqjen. Mbretëresha Elizabetë pranoi Truss-in si udhëheqësen e re të Qeverisë, duke e ftuar atë të formojë qeverinë.

Procesi ishte kryesisht formal për të zyrtarizuar rezultatet e një lufte të brendshme për pushtet në një nga partitë kryesore politike të Britanisë. Mandati trevjeçar i Johnson ishte kryesisht me skandale, të cilat përfundimisht rezultuan në rrëzimin e tij.

Kush është gruaja që Partia Konservatore zgjodhi që ta zëvendësojë Johnsonin?

Sikurse Johnson, 47-vjeçarja Truss është anëtare e Partisë Konservatore. Ajo shërbeu si anëtare e parlamentit britanik për 12 vjet dhe mbajti pozita në kabinet brenda qeverive të ndryshme konservatore për tetë vjet, duke shërbyer së fundmi si Ministre e Jashtme. Para kësaj, ajo shërbeu si ministre e Mjedisit dhe ministre e Drejtësisë.

Politika e Liz Truss

Truss është zotuar të ulë taksat, pavarësisht se disa ekonomistë paralajmërojnë se masa mund të dërgojë në inflacion – i cili tashmë po luhatet rreth nivelit më të lartë në 40 vjet në Britani, dhe madje mund të konsiderohet edhe më i lartë, pasiqë Britania e Madhe po shkon drejt recesionit. Ajo mori postin e kryeministres në periudhën kur vendi po përballet me një numër sfidash, sikurse çmimet e larta të energjisë së nxitura nga lufta në Ukrainë.

Truss fillimisht bëri fushatë kundër Brexit, politikë të cilën Johnson e mbrojti, por ajo ndryshoi qëndrim pasi përmes referendumit u mbështet dalja nga Bashkimi Evropian. Ajo është zotuar si udhëheqëse të fshijë nga librat pjesën më të madhe të ligjit të BE-së që lidhte Britaninë si anëtare të bllokut, duke përfshirë rregullat e punës dhe mjedisit që ajo i konsideron të vjetëruara./UBTNews/

Exit mobile version