Justina Shiroka-Pula është ekonomiste, akademike dhe ish-ministre e Energjisë dhe Minierave. Më 6 tetor 2026, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi Presidente të Republikës së Kosovës me 81 vota. Pas zgjedhjes, ajo dha edhe betimin para deputetëve.
Shiroka-Pula ka lindur në vitin 1953 në Prishtinë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1984 ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik në Universitetin e Zagrebit.
Ajo është doktoruar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”. Karrierën profesionale e ka nisur në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa nga viti 1978 është angazhuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku ka zhvilluar karrierën akademike.
Gjatë karrierës së saj akademike, Shiroka-Pula ka ndjekur studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe trajnime të ndryshme profesionale jashtë vendit.
Ajo ka pasur edhe angazhime në shoqërinë civile, veçanërisht në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.
Në politikë, Shiroka-Pula ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës nga viti 2008 deri më 2011, ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.
Në ASHAK, ajo është zgjedhur anëtare korrespondente në vitin 2016 dhe akademike e rregullt në vitin 2020. Në vitin 2026 ka drejtuar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, para se të zgjidhej Presidente e Republikës.
Me zgjedhjen në këtë post, Justina Shiroka-Pula është Presidentja e re e Kosovës dhe pason Vjosa Osmanin. Ajo do të ushtrojë detyrën e kreut të shtetit në përputhje me kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës./A.K/
