Para nisjes së takimit midis udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë më 19 korrik në Bruksel, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha se kohëzgjatja e këtij takimi do të varet nga atmosfera që të mbizotërojë gjatë bisedimeve.
Atmosfera që e përcolli takimin u bë e ditur gjatë deklarimeve të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Ishte e qartë se takimi i dytë brenda një muaji, dështoi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë akuzuar njëri-tjetrin për mungesë të vullnetit që procesi i dialogut të ecë përpara.
Megjithatë, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme lidhur me të ardhmen e dialogut, të dy palët janë dakord për një gjë: që dialogu duhet të vazhdojë.
Çfarë po rrezikon Serbia?
Serbia, së bashku me Malin e Zi, janë vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë avancuar më së shumti në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, për dallim nga shtetet e tjera që janë në procesin e bisedimeve për anëtarësim, Serbia ka “rreth qafës” një peshë të rëndë, Kapitullin 35, që në kornizën e përgjithshme negociuse të BE-së quhet “çështje të tjera”.
Kjo është një hapësirë ku shtetet anëtare mund, por jo detyrimisht, të prezantojnë një prej çështjeve që e konsiderojnë të rëndësishme dhe që për të mund të diskutohet edhe në bisedimet për anëtarësim në bllokun evropian. Po ashtu është e mundur që një kapitull të mbetet bosh dhe që zyrtarisht të hapet dhe të mbyllet.
Në rastin e Serbisë, Kapitulli 35 është thelbësor sepse e gjithë BE-ja në të ka përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Kjo çështje konsiderohet si çështje kyçe në zgjidhje të çështjes së Ballkanit Perëndimor dhe normalizimit të situatës pas përfundimit të luftërave gjatë viteve të 90-ta.
Serbia që një vit pa kapituj të rinj
Në vitet paraprake, për një raport pozitiv nga Zyra e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri mbi qasjen konstruktive të Serbisë ndaj dialogut, ishte e mjaftueshme paraqitja fizike e palëve në ndërtesën e BE-së, që vendet anëtare të hapnin kapitujt.
Që nga nisja e negociatave për anëtarësim në BE më 2012, Beogradi ka hapur 18 nga gjithsej 35 kapituj. Me sukses janë mbyllur dy kapituj. Megjithatë, Serbia për më shumë se një vit nuk ka hapur asnjë kapitull të ri për shkak të mungesës së përparimit në fushën e sundimit të ligjit. Sidoqoftë, situata e sundimit të ligjit ishte pothuajse identike si më parë dhe BE-ja lejoi që procesi për anëtarësim të vazhdonte për shkak të “atmosferës pozitive” që u tha se mbretëronte në dialog.
Raporti i fundit mbi sundimin e ligjit në Serbi shfaqi një pamje të errët të situatës në këtë fushë dhe negociatat u bllokuan. Prandaj, tërheqja nga dialogu me Kosovën nuk është opsion për palën serbe sepse në mungesë të përparimit në kapitujt 23 dhe 24, e vetmja rrugëdalje për Beogradin është që të ketë një qasje konstruktive në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Presidenti serb, Vuçiq, të hënën, më 19 korrik, përsëriti qëndrimin që Serbia nuk e ka ndërmend që të heqë dorë nga ky proces, por paralajmëroi se strategjia e palës kosovare është që “ta bëjë të pakuptimtë (dialogun) dhe t’i japë fund” bisedimeve.
Çfarë rrezikon Kosova?
Si në dialog, ashtu edhe në procesin e integrimeve evropiane, Kosova ka një status të pabarabartë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Jo vetëm që Serbia po e sfidon pavarësinë e Kosovës, por këtë e bëjnë edhe pesë shtete anëtare të BE-së (Greqia, Rumani, Sllovakia, Qiproja dhe Spanja). Dy ndërmjetësit evropianë, (Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak) që marrin pjesë në dialog, vijnë nga shtete që nuk e kanë njohur Kosovën (Spanja dhe Sllovakia).
Pavarësisht nga qasja jo-unike ndaj statusit të Kosovës, të gjitha vendet anëtare të BE-së në vazhdimësi përsërisin qëndrimin se Kosova gjithashtu ka një perspektivë evropiane (por, jo perspektivë për anëtarësim të plotë në BE).
Për këtë arsye, Kosova renditet e fundit, në listën e vendeve që duan të anëtarësohen në BE.
Në vitin 2014, BE-ja “negocioi” Marrëveshjen për Stabilizim Asociim (MSA) me Kosovën, duke pasur për bazë mendimin ligjor të ekspertëve evropianë, sipas të cilit BE-ja mund të hyjë në marrëdhënie tregtare me entitetet jo-shtetërore, përfshirë edhe entitetin kinez të Hong Kongut ose Makaon.
Ndryshe nga MSA-të e tjera, që kanë të gjitha vendet e rajonit, në preambulën e marrëveshjes me Kosovën, nuk ka formulime që parashikojnë anëtarësimin e mundshëm, të plotë në BE. Përveç kësaj, nënshkruesit e MSA-së janë të gjitha shtetet anëtare të BE-së së bashku me shtetin me të cilin nënshkruhet marrëveshja, por në rastin e Kosovës, teksti u nënshkrua vetëm nga përfaqësuesit e institucioneve evropiane (Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian).
Me përfundimin e MSA-së më 2014, Brukseli, praktikisht, nuk ka çka t’i ofrojë Kosovës, në kuptimin e integrimit, bazuar në rrethanat aktuale sa i përket statusit.
Çështja e liberalizimit të vizave
Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave dhe këtë privilegj, qytetarët e të gjitha shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor e gëzojnë nga viti 2009, përkatësisht 2010.
Që nga viti 2018, Komisioni Evropian në vazhdimësi ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, megjithatë, vendimi në nivelin politik, deri më tani ka qenë i pamundur për shkak të çështjeve të brendshme në disa shtete anëtare.
Vendet që po hezitojnë lidhur me çështjen e liberalizimit janë edhe shtetet që ndër të parat e kishin njohur pavarësinë e Kosovës, siç është Franca dhe Holanda.
Gjatë takimit të parë midis shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, takim i mbajtur në fund të prillit, zyrtari i lartë evropian paralajmëroi se dialogu nuk ka alternativë dhe se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është thelbësore për përparimin drejt perspektivës evropiane.
“Pa një marrëveshje, kjo rrugë është e bllokuar”, paralajmëroi Borrell.
Megjithatë, në rrethanat aktuale, ku Kosova nuk ka një perspektivë për anëtarësim, por vetëm një “perspektivë evropiane”, Brukselit i mungon fuqia që të detyrojë autoritetet në Prishtinë që të jenë konstruktive në dialog, për hir të integrimit evropian.
Liberalizimi i vizave, si karota e vetme, mund të bëhet një lloj i ri i shantazhit, për ta detyruar Qeverinë e Kosovës që t’i qaset ndryshe procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Çfarë ka ndryshuar me Vuçiqin dhe Kurtin?
Gjatë dhjetë vjetëve të bisedimeve, ka pasur tendenca për hedhjen e fajit, por asnjë akuzë nuk ka qenë më serioze, sesa ato që u bënë më 19 korrik.
Kurti tha se Vuçiqi kishte “gënjyer”, ndërkaq presidenti serb, tha se Kurti ishte “joracional”.
Megjithatë, asnjëri në paraqitjet publike nuk flasin për largim nga procesi. Nëse do të ndodhte një gjë e tillë, kjo do të ishte heqje dorë nga procesi i integrimit evropian.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në politikën e jashtme të BE-së është një nga projektet më të rëndësishme. I gjithë rajoni është i rrethuar me vende anëtare të BE-së dhe një destabilizim i mundshëm në rajon, do të reflektohej edhe në territoret e shteteve anëtare të bllokut evropian.
Megjithëse rajoni thuhet se në një të ardhme do të bëhet pjesë e bllokut evropian, megjithatë ka kritere për pranimin e anëtarëve të rinj në BE.
Prandaj, më 2018, gjatë përpilimit të strategjisë së zgjerimit, u tha qartë se të gjitha vendet që duan të anëtarësohen në BE, fillimisht duhet të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura që kanë me fqinjët e tyre.
“Politika e zgjerimit të BE-së duhet të vazhdojë të sjellë stabilitet. Prandaj, BE-ja nuk mund dhe nuk do të importojë mosmarrëveshje dypalëshe”, thuhet në strategjinë e zgjerimit të BE-së./Radio Evropa e Lire