Shefja e deputetëve të shumicës, Mimoza Kusari-Lila zgjedhjet e mbajtura dje në katër komunat në veri të vendit i ka konsideruar si fillim të fundit të ndikimit të Serbisë.
“Është ditur kohë më parë që situata në veri është komplekse, ka qenë evidente edhe që vet Serbia ka qenë kundër prezencës në katër komunat e Kosovës. Dje ishte një ditë që shënon fillimin e fundit të ndikimit të Serbisë në Kosovë. Të gjitha përpjekjet nuk do të jenë të lehta; do të jenë të vështira. Sfidë ka qenë siguria e individëve, serbëve që kanë me mendim të kundërt. Është absurde që një komuniteti pakicë kërcënohet e shantazhet nga shteti që do të duhej t’i mbronte interesat e tyre”, ka deklaruar ajo pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Ajo shtoi se e konsiderojnë të papranueshme abstenimin e opozitës në seanca e mbledhje të kryesisë.
“Në vend se të kryejnë punën që janë zgjedhur, kanë vendosur të luajnë rolin e hetuesit. Ne e dimë që kur ngritet një aktakuzë, është prezumimi i pafajësisë. Përzierja në fakte, nuk lejohet as me Ligjin për Hetim Parlamentar. E konsiderojmë tendencioze dhe keqdashëse”, tha ajo.
Sipas saj, ka edhe defekte që karakterizojnë grupin parlamentar të LVV-së.