Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur poshtë akuzat e partive opozitare për largimin e veteranëve të luftës nga paga minimale, e cila është votuar në shqyrtim të parë sot.
Në një konferencë për medie, ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari-Lila tha se veteranët nuk janë larguar nga ligji i pagës minimale meqë deri në fund të vitit qeveria do ta bëjë trajtimin e skemës së pensioneve.
Kusari-Lila i ka ftuar veteranët të dialogojnë, ndërsa në anën tjetër ka akuzuar PDK-në për ndërhyrje, pasi sipas saj, partia më e madhe opozitare ka thirrur Listën Serbe për të votuar në Kuvend.
“Veteranët nuk janë përjashtuar nga ligji për pagën minimale. Ligji është miratuar për pagën minimale të sektorit privat. Ndarja e pensionit të veteranit është bërë në vitin 2016 nga qeveritë paraprake dhe ligjshmëria në pagën minimale është ndarë në atë kohë. Kësaj radhe në trajtim ashtu siç e dini nga Qeveria e Kosovës edhe në dialogun e Këshillit ekonomiko-social është diskutuar vetëm për sektorin privat. E dyta ky, si proces është instrumentalizuar nga ata e ndanë ose nga ata që nuk ishin të interesuar ta bëjnë asnjë zgjidhje qoftë për pensionin e veteranit, qoftë për pagën minimale për gjitha këto vite. Sot është votuar dhe në votim kanë marrë pjesë 74 deputetë, 68 vota kanë qenë për, ndërsa 8 ishin abstenime nga grupi multi-etnik në këtë rrethanë si pozitë GP i Lëvizjes Vetëvendosje ka diskutuar vetëm me grupin multi-etnik fatkeqësisht në mungesë të PDK-së ata e dërguan Listën Serbe që t’i japin këtë konotacion, pastaj u përcjell nga Shoqata e Veteranëve në reagimin e tyre” ka thënë Kusari Lila.
Kusari-Lila ka deklaruar se nuk kanë kërkuar votë nga Lista Serbe, sipas saj kjo e fundit është rreshtuar nga partitë opozitare. Ajo ka theksuar se edhe pa Listën Serbe do të ishin votat për miratimin e këtij ligji.
“Si pozitë sot nuk kemi kërkuar votë nga Lista Serbe. Ka muaj tashmë që ata janë rreshtuar në krahë të opozitës. Atë e deklarojnë edhe me votime përderisa qëndruan sot për t’i dhënë hije të keqe një procesi në mënyrë që t’i jepet argumenti për partinë që nuk kishte guximin të jetë prezentë në sallë… Ajo çfarë mund të them është që edhe pa Listën Serbe do të ishte rezultati i njëjtë… Ftoj Shoqatat e Veteranëve të UÇK-së të ulemi e të dialogojmë siç kemi kërkuar dhe ashtu siç i takon demokracisë së mirëfilltë”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Kuvendi i Kosovës me 68 vota pro e ka miratuar Projektligjin për pagën minimale 250 euro neto.