Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se rezoluta e propozuar nga partitë opozitare lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike nuk u është shpërndarë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Pasi partitë opozitare lëshuan sallën e seancave plenare, Kusari-Lila ka thënë se nëse opozita dëshiron të gjejë zgjidhje duhet të ofrojë alternativa në raport me krizën energjetike dhe jo bojkot.
“Nëse duan të gjejnë zgjidhje atëherë le të ofrojnë alternativa në raport me krizën energjetike por jo bojkotin dhe mënyrën se si ata e paralajmëruan votimin e një rezolute e cila as nuk u është shpërndarë deputetëve të Kuvendit të Republikës”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje është i angazhuar të dërgojë komentet në raport me modelet të cilat sipas saj do të jenë sa më të përshtatshme që të përballet kriza energjetike dhe të mos dëmtohet interesi i qytetarëve të Kosovës.
“Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e ka kundërshtuar as nuk e ka miratuar, gjegjësisht nuk ka marrë pjesë në votim përderisa është procesi i konsultimeve të hapura ende pranë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, nuk ka vendim për shtrenjtim të energjisë elektrike, ka diskutim dhe propozim nga Zyra e rregullatorit të Energjisë, si treta, shtrenjtimi i rrymës nuk është se i përjashton katër komunat e veriut, katër komunat e veriut janë jashtë sistemit rregullues aktual të Kosovës si rrjedhojë e periudhës 22 vjeçare. Nuk është kjo qeveri që ka ndryshuar në raport me favoret atje, janë qeveritë e deritashme në atë qe e kanë sjellë këtë situatë dhe këtë rrethanë”, ka thënë Kusari-Lila.