Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka adresuar kritika ndaj partive opozitare për manipulim me opinionin publik, lidhur me propozimin e ZRrE-së për rritjen e tarifave për energji elektrike.
Në debatin parlamentar për krizën energjetike, Kusari-Lila tha se qeveria po punon për të gjetur zgjidhje që shtrenjtimi i energjisë të ketë ndikim të vogël te qytetarët.
“Seanca e sotme do të arsyetohej sikur të kishte për qëllim ofrimin e zgjidhjes konkrete, apo alternativave të pa shqyrtuara nga autoriteti i cili ka vendosur në diskutim publik, shqyrtimin e strukturës tariforeve për konsumatorët të ZRrE-së. Se opozita nuk e ka seriozisht diskutimin përmbajtjesor të kësaj çështje e kuptuam edhe ditën e enjte”, tha ajo.
Nga ana tjetër, deputetja e mazhoracës tha se krizën energjetike nuk e krijoi ekzekutivi.
“Ka ende mundësi për shqyrtim të modeleve me ndikim të vogël dhe mekanizma mbrojtës të interesave të qytetarëve të vendit tonë. Kjo është për çfarë po angazhohemi bashkë me qeverinë në ditët dhe orët në vijim. Qeveria e Kosovës për të dëshmuar angazhimin dhe përkujdesen maksimal ndaj qytetarëve në momentin kur ZRrE-ja e hapi shqyrtimin e jashtëzakonshëm të hyrave të lejuara dhe sistemin e ri tarifor ndau 75 milionë euro subvencion për të amortizuar ndikimin e rritjes së çmimit tek qytetarët. Është e njëjta qeveri që deklaroi se tarifat nuk janë finale dhe mund të konsiderohen, pasi konsulta është e hapur deri më 29 janar”, tha ajo.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Kusari-Lila thuri edhe lavde ndaj Qeverisë Kurti, ku tha se e njëjta po dëshmon se kursen buxhetin dhe mbron interesin e qytetarëve.