UBT News

Kusari-Lila reagon për grafitet e vendosura në familjen e deputetes Grainca

Ushtruesja e Shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar ndaj garfiteve në muret e shtëpisë së familjes së deputetes Adelina Grainca.

Kusari-Lila thotë se grafitet e vendosura në muret e shtëpisë së familjes Grainca janë realiteti i mizogjenisë në politikën kosovare, sipas së cilës vajzat dhe gratë nuk konsiderohen të denja për vendimmarrje pos si valutë për shëmbim dhe zbatim të urdhërave të partisë.

“Grafitet në muret e shtëpisë së familjes Grainca të shkruara dje pasdite, janë realiteti i mizogjenisë në politikën kosovare, sipas së cilës vajzat dhe gratë nuk konsiderohen të denja për vendimarrje pos si valutë për shkëmbim dhe zbatim të urdhërave të partisë”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo nënvizon se nëse ky akt nuk dënohet nga PDK pjesë e së cilës ishte deputetja para zgjedhjes së presidentes, atëherë kjo sipas saj tregon se si një parti e konsideron një vajzë të re me mendim ndryshe.

“Nëse ky akt i shëmtuar nuk dënohet nga grupimi politik pjesë e të cilit ishte Adelina deri para zgjedhjes së Presidentes, atëherë aty qëndron vetë përgjigja e largimit të saj nga ata, në mënyrën se si një parti e konsideron dhe trajton një vajzë të re me mendim ndryshe”, ka shkruar Kusari-Lila në reagimin e saj.

Grafitet kishin mbishkrimin “Bijat i shesim, votat i qesim”, duke iu referuar kalimit të deputetes në Grupin parlamentar të VV-së nga PDK-ja dhe pjesëmarrjen e saj në votimin për presidente.

Exit mobile version