UBT News

​Kusari-Lila: Raporti i DASh-it ka lëshime dhe disa pasaktësi

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila tha se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka lëshime dhe disa pasaktësi. Sipas saj, raporti ndër vite ka treguar për probleme të funksionimit të drejtësisë. Në seancë plenare, ajo krahasoi përmbajtjet e raporteve të mëparme dhe për vitin e kaluar, ku tha se pushteti ka probleme të trashëguara.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila deklaroi se raporti i vitit 2023, flet për korrupsionin në qeveri bazuar në numrin e madh të kallëzimeve penale por jo për ngritje të aktakuzave.

“Sa i përket dy dënimeve që janë për ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi kemi të bëjmë me fjalën ‘vonim të deklarimit të pasurisë’ e cila fjalë si vonesë nuk paraqitet si vonesë nuk paraqitet në raport, bëhet fjalë për vonesë dy-tri ditë. Përderisa gjoba që është shqiptuar apo dënimi përmes gjykatës, aktualisht është gjobë me ligjin e ri që ka hyrë në fuqi në vitin 2023, e cila gjobë shqiptohet nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit”, deklaroi ajo.

Më tej ajo tha se ky raport ndër vite ka pasur përmbajtje të cilat kanë treguar probleme të funksionimit të drejtësisë.

“Përkundër përpjekjes për të vënë në spikamë diçka që mendohet se është hera e parë në raport, raporti ndër vite ka pasur përmbajtje të cilat kanë treguar probleme thelbësore në funksionimin e drejtësisë në shtetin tonë të ri dhe shtylla të tjera të funksionimit të shtetit në raport me respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Disa krahasime në mes të raportit në vitin 2023 dhe 2019, kur dy nga të tri partitë opozitare të sotme ishin në pushtet: në vitin 2019 raporti lexonte ‘Çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin kufizimet të panevojshme për shtypin, duke përfshirë dhunën dhe kërcënimet për dhunë ndaj gazetarëve, korrupsion dhe mos ndëshkim të qeverisë dhe sulme kundër pjesëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara duke përfshirë edhe Policinë e Kosovës”, deklaroi Kusari Lila.

Ajo shtoi se në raportin për vitin 2023, thuhet se qeveria ndërmori hapa të besueshëm për të hetuar e ndjekur penalisht zyrtarët që mund të kenë kryer abuzime të të drejtave të njeriut. Po ashtu Kusari-Lila theksoi se institucioni i Avokatit të Popullit nga 136 ankesa sa ka marrë më parë, tashmë ka rënë në 40 për keqtrajtim nga Policia.

“Tek e drejta e pronës dhe kthimi i saj për dallim nga raporti i vitit 2019, kur përmenden huti dhe përzierje të zbatimit të ligjit, kërkesa për kthim të pronës si dhe probleme serioze në udhëheqjen e Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, në vitin 2023 vazhdon të përmendet mungesa e regjistrave kadastralë apo mos kthimi i tyre nga Serbia të marrë apo të mbajtur që nga koha e luftës në Kosovë si dhe brengat e përmendura nga qytetarët e komunitetit serb në veri të vendit me procesin e shpronësimit pa procedura të parapara me ligj. Megjithatë, raporti thekson gjithashtu se qeveria ka reflektuar për t’i adresuar këto brenga. Do të thotë prej problemit subjektiv, mungesës së vullnetit politik për zgjidhje tek çështjet në vitin 2023, të cilat marrin zgjidhje pastaj por kanë probleme të trashëguara siç është rasti i mungesës së regjistrave kadastralë”, shtoi ajo.

Sa i përket lirisë së fjalës dhe mediave, shefja e shumicës parlamentare shtoi se në raportin e fundit nuk përmendet fakti se gazetarët nuk lejohen nga pronarët e mediave që të raportojnë për korrupsionin e qeverisë.

“Deri në vitin 2021 vazhdimisht ka pasur raportime për ‘biznese të lidhura me qeverinë, ushtruan presion ndaj pronarëve të mediave, redaktorëve individual dhe reporterëve për të mos publikuar storje apo materiale të caktuara’. Kjo fjali nuk figuron më në raportin e vitit 2023 dhe veprimi i njëjtë ‘ushtrimi i presionit’ tani u mvishet disa zyrtarëve publik. E nga raporti i fundit largohen edhe raportimet se gazetarët nuk lejohen nga pronarët e mediave që të raportojnë për korrupsionin në qeveri”, shtoi ajo.

Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes tha se raporti ka lëshime dhe pasaktësi për numrin e grave të pozita udhëheqëse.

“Raporti ka lëshime dhe disa pasaktësi. Pasaktësitë janë tek evidentimi dhe konstatimi për numrin e grave në pozita udhëheqëse, ministrore dhe prezencën e grave në jetën ekonomike. Angazhimi i grave në jetën publike dhe ekonomike këto tri vite është më i madh se asnjëherë më parë”, përfundoi ajo.

Exit mobile version