Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga BE-ja në Gjykatë Kushtetuese, pasi nuk pajtohet me të njëjtin.
Sipas saj, ka brenga serioze sesi draft-statuti i Asociacionit të dërgohet në Kushtetuese, mirëpo tha se duhet të ekzistojë një rrugë e ndërmjetme në të cilin duhet të ketë diçka nga ana e qeverisë, por edhe të merren garanci serioze nga faktori ndërkombëtar se i njëjti s’mund të ketë kompetenca ekzekutive.
“Jemi në rrethana të cilat asnjëherë – formë apo mënyrë nuk duam që të krijojmë mekanizma që mund të ketë mosfunksionalitet apo dëmtim të brendshëm të rendit kushtetues në Kosovë, përkundër që është thënë se ka garanci se asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive. Ajo çka është prezantuar në draftin e BE-së në të cilin janë dhënë komente, të cilat nuk kanë reflektuar si të tilla. Kemi brenga serioze mbi atë sesi mund të realizohet apo çfarë forme i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund t’i dërgohet si një draft i pranuar pa pasur një vendim të qeverisë. Qeveria nuk ka vendim për atë draft pasi s’pajtohet me atë draft në tërësinë si është dorëzuar. Prandaj duhet të ekzistojë një rrugë e ndërmjetme në të cilin duhet të ketë diçka nga ana e qeverisë, por në afate në të cilat duhet të merren garanci serioze, që deri tash s’ka pasur”, tha ajo.
Kusari-Lila shprehu zhgënjimin e saj me mosanëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
“Jemi të zhgënjyer me atë çfarë ndodhi, me mosfutujen në agjendë. E kuptojmë se ka pasur kërkesa individuale të shteteve pastaj në raport me kërkesën që u tha më e artikuluar nga dy shtete, nga Franca dhe Italia. Por kjo nuk na zmbraps nga përpjekjet dhe kontinutitet për plotësimin e të gjitha standardeve që kanë të bëjnë me të drejtat, rendit, ligjin dhe zhvillimin. Ishte një përvojë jo e mirë, por nuk ishte hera e parë që Kosova u ballafaqua me një standard shtesë apo ndryshe nga organizata kishte për vendet të tjera. Është e paprecedent të kthehet një vendim i Asamblesë Parlamentare të mos trajtohet në Këshillin e Ministrave, siç ndodhi në rastin tonë”, theksoi ajo.