Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ka përkeqësuar gjendjen e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo ka thënë se pakënaqësitë e veteranëve janë të akumuluara dhe sipas saj qeveritë e kaluara i kanë rritur listat e veteranëve.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, derisa veteranët protestonin në oborrin e Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila ka thënë se veteranët e vërtetë nuk e dëmtojnë vendin e as ndërtesën e Parlamentit.
“Jemi shumë të vetëdijshëm që pakënaqësitë e akumuluara ndër vite në Kosovë po e gjejnë hapësirën tash për t’u shfaqur përkundrejt gjithë angazhimit dhe propozimeve në vazhdimësi që po vinë nga Qeveria. Megjithatë unë e di se secili veteran i cili ka luftuar dhe vazhdon të përpiqet për vendin e vet nuk dëmton vendin, gjegjësisht as ndërtesën e Kuvendit apo t’i shkaktojë dëm dikujt tjetër, ne në fund jemi njerëz të kësaj republike dhe besoj që me dialog dhe mirëkuptim do të arrijmë te zgjidhjet që janë të domosdoshme edhe për kategori të tjera”, tha ajo.
Ajo ka thënë se një situatë e tillë me veteranët nuk është krijuar me Qeverinë Kurti.
“Situata me veteranët është situatë e cila tashmë ekziston që shumë vite, nuk është situatë e cila është krijuar vitin e fundit, nuk është qeveria Kurti që ka përkeqësuar rrethanat ose ka përkeqësuar pagën ose gjendjen e veteranëve të luftës në Kosovë, mos të harrojmë, krejt çka janë siguruar më herët qeveritë është që në procese ose para zgjedhjeve si të rriten listat e veteranëve që ta të mundet t’i shfrytëzojnë pastaj ato për vota, por jo që realisht ata veteranë të cilët me të vërtetë meritojnë shumë trajtim më dinjitoz të përmirësohen kushtet.. Është një e vërtetë gjithashtu që e kemi një deformitet në listat e veteranëve që është konsideruar se duhet të trajtohet me seriozitet, që ka ndodhur ndër vite, natyrisht dhe që gjithë veteranët e meritojnë trajtimin shumë më dinjitoz sesa që e kanë pasur deri më tani”, ka thënë ajo.