Për shkak të disa udhëtimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjatë kësaj jave nuk do të mbahet asnjë seancë plenare, kështu ka bërë të ditur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila e cila komentoi edhe pritshmëritë për takimin e 18 marsit në Ohër në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Për paralajmërimin e ZRRE-së për shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike për 14% nga prilli, ajo tha se ditët e në vijim pritet të shihet propozimi final për modelin e tarifave.
“Këtë javë nuk do të ketë seanca plenare, arsyeja është se janë dy delegacione të Kuvendit në udhëtime njëri që veçse tash ka udhëtuar për Tajvan në Forumin për Demokraci me mbështetje të NDI në një pjesëmarrje të vendeve nga gjithë rajoni. E gjithashtu ka të bëjë me Komisionin parlamentar për Stabilizim-Associm në të cilin komisioni parlamentar nga Kosova dhe Komisioni Parlamentar nga Parlamenti Evropian takohen bashkë një herë në vit në Strasburg që do të ndodh midis datave 15 dhe 16 mars, dhe tjetri ndodh në Prishtinë që do të ndodh në nëntor”, tha ajo.
Kusari-Lila thotë se në takimin e 18 marsit presin qasje konstruktive, derisa theksoi se sa i përket planit të veprimit ende nuk është konfirmuar ai final.
“Ajo çka ne presim është qasje konstruktive edhe pse në këtë rast mund të flasim vetëm për njërën palë për palën e Kosovës, përderisa ka deklarata dekurajuese nga presidenti serb, megjithatë a do të ketë sukses apo jo takimi i 18 marsit në Ohër mbetet të shihet në ditën e takimit. Sa i përket përmbajtjes kjo është punë në proces nuk ka ende finale të konfirmuar sa i përket planit të veprimit ajo është në mes të palëve dhe natyrisht me ndërmjetësin evropian, Lajçak, por parimisht në bazë të planit të konfirmuar apo të miratuar në parim por jo të nënshkruar nga të dy palët do të rrjedh edhe ky plan i veprimit apo në bazë të atij plani do të dakordohet për plan veprimi nëse do të arrihet dakordim”, tha ajo.
Lidhur me paralajmërimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për shtrenjtim të energjisë elektrike për 14%, deputetja e LVV-së tha se në ditët e në vijim pritet të shihet propozimi final për modelin e tarifave.
Derisa theksoi se Qeverisë së Kosovës i mbetet të gjejë se cila është forma për ta ulur ndikimin negativ të këtyre tarifave për qytetarët e Kosovës.
“I njëjti propozim ka qenë edhe vitin e kaluar, flasim për dëgjime vjetore që janë të rregullta të ZRrE që bëhet me kërkesën e operatorëve të cilët veprojnë në treg në sektorin e energjisë, pastaj do të varet nga modalitetet e gjetjes së zgjidhjeve për mbulimin e kostove nga ana e subvencioneve të qeverisë. Edhe vitin e kaluar ka qenë propozimi i ZRrE për shtrenjtim të energjisë elektrike, pastaj qeveria ka propozuar subvencionimin i cili ka përfshirë… mbetet të shihet tashmë në ditët në vijim se cili do të jetë propozimi final për modelin e tarifave të energjisë elektrike, dhe prapë po them mbetet në trajtim nga ana e qeverisë se cila është forma dhe mënyra më e mirë për të ulur ndikimin negativ që mund të ketë tek familjet kosovare, në veçanti të atyre me të hyra më të vogla”, tha Kusari-Lila.
Lidhur me ecurinë e Ligjit për liritë fetare për të cilin nevojitet edhe prezenca dhe vota e deputetëve të Listës Serbe, deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se ende nuk kanë ndonjë konfirmim final se ata do të kthehen për të marr pjesë në seanca.
“Deputetët e ardhur në radhës pas dorëheqjes së deputetëve të parë të Listës Serbe nuk kanë ardhur asnjëherë në Kuvend, ne nuk kemi kontakt me ta dhe nuk kanë marr pjesë as në grupe punuese. Kanë qenë përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it që kanë mbajtur kontakte me ta apo që kanë kërkuar pjesëmarrjen e tyre, megjithatë nëse ka kërkesa të vazhdueshme për bashkësitë fetare atëherë duhet të jetë në interes të gjithë deputetëve pa dallim pjesëmarrja dhe votimi në këtë seancë në ditën kur është projektligji për liritë fetare në lexim të parë…ende nuk kemi një konfirmim final apo ndonjë indikacion se ata do të kthehen në seancë“, u shpreh ajo.