UBT News

Kusari-Lila për propozimin e LDK-së: Nuk është në të mirën e qytetarëve

Mimoza Kusari-Lila thotë se ideja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për qeveri trancizionale nuk është e mirë as për qytetarët dhe as nuk i sjell dobi vendit.

Deputetja Kusari-Lila e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje tha se në këto momente fokusi duhet të jetë tek procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Nuk është në rregull, ne në fakt duhet të kemi një qeveri e cila përbënë pozitën dhe opozitën të  përfilltë për funksionimin e demokracisë llogaridhënia është bazë. Prandaj, të pasurit të gjitha partitë bashkë në qeverisje nuk e besoj që është në të mirë as të qytetarëve  dhe as që do t’i sjell ndonjë dobi vendit. Megjithatë, unë mendoj se para se të shkojmë tek ajo pikë tek diskutimi për koalicionin qeverisës duhet fokusuar tek ajo se çfarë po ndodh me procesin në Kuvend në vazhdimësi çdo 48 orë ne jemi duke mos pasur kuorumin për votim procedural  përkundrejt faktit që po del se është kandidatja apo propozimi i LVV-së  që po dështon nuk është ashtu. Ju e dini që po dështon votimi për formimin e komisionit për votimin e fshehtë“, tha ajo.

Kusari-Lila pak para se të nis seanca për konstituim të Kuvendit të Kosovës e cila po mbahet për herë të 12-të tha se për zhbllokim të ngërçit politik duhet diskutime të mëtutjeshme me subjektet politike.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në ora 10:00, në përpjekjen e dymbëdhjetë për konstituimin e institucionit ligjvënës.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka refuzuar koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa ka kërkuar një qeveri tranzicionale deri në zgjedhjen e presidentit të vendit në vitin 2026.

Exit mobile version