Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar nga opozita të përkrah propozimin e tyre për formimin e komisionit hetimor për energjinë.
Propozimi i tyre, sipas Kusari-Lila, i liron opozitën nga kurthi që janë vendosur, pasi të njëjtën formë e kanë të pamundur emërimin e kryesuesit të komisionit.
Ajo tha se komisioni hetimor i propozuar nga ata do të ketë gjitha kërkesat e opozitës, por edhe zgjerim të fushë veprimtarisë së tij.
“Ju lirojmë nga gjithë ai kurth që keni vendos, merr nënshkrime nga Lista Serbe, merr nënshkrim nga deputeti i pavarur, gjithë ju që keni nënshkruar dhe prape jeni hy në kurth se s’ka mundësi për kryesuesin. Tash e kemi një zgjidhje të thjesht, 40 nënshkrime i kemi dorëzuar, gjitha kërkesat e juaja janë në kërkesë, janë shtuar ato që janë përmenda. Takohuni, bisedoni si opozitë mirëfilltë, ju lutem mos na shani, as në familjarë dhe as të afërm. Të shara që i kanë dëgjuar qytetarët e Republikës para se me i dëgju ne”, tha ajo.