Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se minishengeni ballkanik, i emëruar tani “Open Ballkan”, synon të krijohet mbi parimin e superioritetit të Serbisë, pozicion ky, siç ka thënë ajo, i keqpërdorur çdoherë nga Serbia duke abuzuar me të tjerët.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila ka thënë se krahasimi i mishengenit me Bashkimin Evropian është i pasaktë dhe çorientues.
“Për të gjithë ata që sot mundohen ta arsyetojnë një ide në qendër të së cilës është Serbia, e cila u mohon qytetarëve të saj vetëm se janë shqiptarë të drejtën e jetesës në atë shtet, e njëjta Serbia e cila në vazhdimësi cenon dhe pengon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, dhe po kjo Serbi e cila blen armë dhe dron nga Rusia e mohon gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, menjëherë dhe çuditërisht besohet se ushqen idenë për Ballkanin e Hapur, idenë e përbashkët, këtu në këtë mes nuk janë dy botë paralele siç po e theksojnë ata që e duan minishengenin me Serbinë në qendër dhe e krijojnë Kosovën, këtu është një realitet i qartë dhe një shtet që shkel të drejtat e shqiptarëve brenda dhe jashtë saj , një iluzion se është gjendur çelësi i problemit të Ballkanit, dhe një kullë prej letre e cila do të rrëzohet nga fryma e parë hegjemoniste serbe”, ka thënë ajo.
Ajo ka folur për sukseset e xhudistëve kosovar në Lojërat Olimpike në Tokio.
“Fytyrën e vërtetë Serbia e shfaqi edhe kur ndaloi transmetimin nga televizioni shtetëror serb të betejës së Nora Gjakovës me arsyetimin se nuk kanë njerëz mjaftueshëm për të përcjellë ngjarjet në Tokio.
Të njëjtës Serbi kryeministri i së cilës solli të ripaketuar idenë e minishengenit me emërtimin e ri Open Ballkan apo Ballkan i Hapur, ide kjo e kundërshtuar shumë në Kosovë, e marrë si zotim nga një ish kryeministër i Kosovës vitin që lam pas, por e refuzuar tani nga subjekti i tij politik, dhe shumë mirë që është kundërshtuar, e shumë mirë që nuk biem në kurthin e atyre që mendojnë që ripaketimi i idesë së ish-Jugosllavisë sjell diçka po zitive për shqiptarët dhe Kosovën”, ka shtuar ajo.
Ajo ka shtuar se suksesi i ekipit të xhudos është storia e Kosovës ku në mungesë të kushteve janë zhvilluar dhe kanë shënuar fitore të mëdha.