Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se minishengeni ballkanik, i emëruar tani “Open Ballkan”, synon të krijohet mbi parimin e superioritetit të Serbisë, pozicion ky, siç ka thënë ajo, i keqpërdorur çdoherë nga Serbia duke abuzuar me të tjerët.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila ka thënë se krahasimi i mishengenit me Bashkimin Evropian është i pasaktë dhe çorientues.
“Për të gjithë ata që sot mundohen ta arsyetojnë një ide në qendër të së cilës është Serbia, e cila u mohon qytetarëve të saj vetëm se janë shqiptarë të drejtën e jetesës në atë shtet, e njëjta Serbia e cila në vazhdimësi cenon dhe pengon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, dhe po kjo Serbi e cila blen armë dhe dron nga Rusia e mohon gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, menjëherë dhe çuditërisht besohet se ushqen idenë për Ballkanin e Hapur, idenë e përbashkët, këtu në këtë mes nuk janë dy botë paralele siç po e theksojnë ata që e duan minishengenin me Serbinë në qendër dhe e krijojnë Kosovën, këtu është një realitet i qartë dhe një shtet që shkel të drejtat e shqiptarëve brenda dhe jashtë saj , një iluzion se është gjendur çelësi i problemit të Ballkanit, dhe një kullë prej letre e cila do të rrëzohet nga fryma e parë hegjemoniste serbe”, ka thënë ajo.
Ajo ka folur për sukseset e xhudistëve kosovar në Lojërat Olimpike në Tokio.
“Fytyrën e vërtetë Serbia e shfaqi edhe kur ndaloi transmetimin nga televizioni shtetëror serb i betejës së Nora Gjakovës me arsyetimin se nuk kanë njerëz mjaftueshëm për të përcjellë ngjarjet në Tokio. Të njëjtës Serbi kryeministri i së cilës solli të ripaketuar idenë e minishengenit me emërtimin e ri Open Ballkan apo Ballkan i Hapur, ide kjo e kundërshtuar shumë në Kosovë, e marrë si zotim nga një ish kryeministër i Kosovës vitin që lam pas, por e refuzuar tani nga subjekti i tij politik, dhe shumë mirë që është kundërshtuar, e shumë mirë që nuk biem në kurthin e atyre që mendojnë që ripaketimi i idesë së ish-Jugosllavisë sjell diçka po zitive për shqiptarët dhe Kosovën”, ka shtuar ajo.
Ajo ka shtuar se suksesi i ekipit të xhudos është storia e Kosovës ku në mungesë të kushteve janë zhvilluar dhe kanë shënuar fitore të mëdha./ Kosova Press