Lëvizja Vetëvendosje në seancën e sotme ishte e përgatitur për formimin e komisionit hetimor, ka thënë shefja e shumicës parlamentare, Mimoza Kusari Lila. Ajo ka deklaruar se dakordimi i partive politike ishte që të mos diskutohej, mirëpo opozita ka paragjykuar lidhur me atë se ku kanë shkuar subvencionet e qeverisë.
Pas përfundimit të seancës, ajo bashkë me deputetin Armend Muja tha se sot kishin ardhur të përgatitur që të propozojnë edhe deputetët pjesëmarrës të komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike.
“Në seancën e sotme ne kemi ardhur të përgatitur që të votojmë dhe propozojmë deputetët pjesëmarrës në komisionit hetimor parlamentar. Dakordimi mes grupeve parlamentare të pozitës dhe opozitës, ishte që ky propozim të shkonte pa paragjykime, për arsyeje sepse çfarë do pyetje apo shqetësimi që opozita kishte dhe që e ka ngritur në materialin që është dorëzuar për komisionin hetimor parlamentar të mbetet subjekt i trajtimit të komisionit. Megjithatë, prapë u fillua me diskutime, me paragjykime. Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje vendosi që sot mos të mbështes formimin e këtij komisioni hetimor parlamentar”, ka thënë ajo.
Sipas saj, opozita po abuzon me të vërtetën dhe me informacionet të cilat prezantohen.
“Synimi dhe tendenca që të hidhet pluhur, synimi dhe tendenca që të thuhen të pavërteta në veprimet e qeverisë që brenda këtij një viti është ballafaquar me dy kriza të mëdha, njëra nga pandemia, tjetra e imponuar nga çmimet e energjisë elektrike, pa u marrë fare me çfarë ka shkaktuar këtë ngritje të çmimeve, konsiderohet si e pa plot dhe oportune”, deklaroi ajo.
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes shtoi se sot kanë protestuar për pasaktësinë e opozitës. Ajo shtoi se formimi i komisionit me 1/3 e deputetëve ka bazë ligjore.
“Pa asnjë problem dhe pa asnjë hezitim, aktiviteti ynë dhe i qeverisë do të jetë konform ligjeve në fuqi, por nuk pranojmë që të abuzohet me të vërtetën dhe me faktet të cilat janë shumë më kokëforta se sa çfarë do insistimi për të vënë në faj Qeverinë Kurti […] Ne me angazhimin tonë parlamentar dhe me aktivitetin gjithashtu edhe të instancave tjera të pozitës, natyrisht se jemi këtu për të treguar përkushtim ndaj jetës parlamentare. Por nuk pranojmë që të abuzohet me të vërteta”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Mimoza Kusari-Lila tha se në seancën e sotme prapë u tha që qeveria ka humbur investimin nga MCC në shumë prej 200 milionë euro, por që të ekzekutivi ditë më parë ka votuar për angazhimin e diskutimit për investim të shumicës së njëjtë.