Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka dalë kundër kërkesës së PDK-së për shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje të reja, duke thënë se një gjë e tillë është “paksa e paimagjinueshme”.
Ajo ka arsyetuar dështimin e sotëm të seancës plenare, e cila sipas saj ndodhi, me kërkesë të vetë iniciuesit Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për një datë tjetër.
“Shpeshherë ka akuza ose kundër akuza se nuk po ka ballafaqim të drejtpërdrejtë në fusha të caktuara qofshin ato ekonomi, drejtësi, siguri e kështu me radhë. Sot të gjithë ministrat e dikastereve kryesorë, përfshirë kryeministrin ishin prezentë, por ishte kërkesë e Grupit Parlamentar të AAK-së, ftuesit e kësaj seance që kjo të shtyhet për një datë tjetër… Më 22 mars është përvjetori i qeverisjes, por ne i kemi pasur seancat të Kuvendit, gjithashtu kemi pasur edhe mbledhje të Kryesisë, ju e dini se edhe Kuvendi ka kaluar në një proces me sfida të ndryshme, të cilat fatmirësisht u tejkaluan. E dini se këtë javë dhe javën e kaluar ka pasur seanca të suksesshme edhe në miratim të marrëveshjeve ndërkombëtare, por gjithashtu edhe të projektligjeve dhe besoj që me të njëjtën dinamikë Kuvendi do të vazhdojë deri në përmbyllje të sesionit pranveror”, deklaroi Kusari.
Të paimagjinueshme e konsideroi shpërndarjen e Kuvendit, teksa Kusari-Lila përmendi numrin e deputetëve pjesëmarrës për debatin e sotëm parlamentar., duke thënë se pozita është e gatshme të vazhdojë mandatin deri në fund.
“Është paksa e paimagjinueshme të pritet shpërndarja e Kuvendit ku për debat të tri vjet qeverisje ka aq pak deputetë në sallë e lëre më të mendohet për një situatë, e cila do të nënkuptonte përfundimin e punës së legjislaturës së tetë, përderisa nuk janë kryer të gjitha pikat, ka shumë pak pika të pa trajtuara, por gjithashtu jemi në dinamikën dhe ritmin e mirë të përmbushjes së agjendës legjislative. Gjatë ditëve të ardhshme do të ketë edhe projektligje në lexim të dytë por edhe marrëveshje ndërkombëtare, që në ndërkohë miratohen ose nënshkruhen nga ministrat, miratohen nga qeveria dhe i sillen Kuvendit. Në aspektin legjislativ, pozita është e gatshme të vazhdojë mandatin deri në fund dhe për të përmbushur agjendën legjislative më shumë se çdo legjislaturë deri më tani”, theksoi ajo.
E pyetur se a ka marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe PDK -së për shpërndarjen e Kuvendit, Kusari-Lila ka mohuar një gjë të tillë.
“Deri më tani, këto janë vetëm fjalë. Nuk ka marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe PDK-së. Ka vetëm atë që kemi thënë publikisht. Marrëveshje nëse janë të gjitha partitë nga opozita, përfshirë LDK-në dhe AAK-në, për shpërndarjen e Kuvendit, atëherë do të ndodhë, nëse nuk janë atëherë jo, atëherë do të shkojmë deri në fund kështu”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila shtoi se numri i projektligjeve të miratuara, përfshirë edhe ato ndërkombëtare, është gjithsej 244.