Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila kërkon që sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e reja.
Kusari-Lila pas takimit konsultues me ushtruesin e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani për organizimin e zgjedhjeve, e quajti edhe manipulues kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, për qëndrimet e tij mbi votimin e buxhetit për vitin 2021.
“Sa më parë të krijohen kushtet që të shkohet në zgjedhjet e jashtëzakonshme, kjo mbetet si subjekt i publikimit të vendimit të plotë, e pas tij të rrjedhë afati kushtetues për thirrjen e zgjedhjeve”, tha ajo.
Kusari-Lila tha se mjetet financiare KQZ për organizimin e zgjedhjeve mund t’iu ndahen edhe me vendim qeveritar.
“Fakti që tashmë qeveria në detyrë, nëse mund të quhet e tillë deklaron votimin e buxhetit që të shkohet në zgjedhje pastaj është jo e qëndrueshme. Pasi çdo gjë deri më tash, edhe në raport me pakon ekonomike e kanë lidhur me një kushtëzim tjetër, qoftë rishikimi pastaj ligji. Është shumë e rëndësishme që sa më parë të organizohen zgjedhjet e pastaj qeveria dhe kuvendi i ri të merren me detyra që kanë mbetur dhe janë në interes të qytetarëve të vendit. Ky është manipulimi i radhës i Hotit. Nuk e di pse e bën ai këtë. E di se me një vendim qeveria ndan fondet për administrim të zgjedhjeve për KQZ-në. Kjo ka ndodhur në vazhdimësi”, tha ajo.
Krahas këtyre, Kusari-Lila bëri të ditur edhe vazhdimësinë e bashkëpunimit në zgjedhjet e ardhshme me LVV-në.
“Bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje do ta vazhdojë në zgjedhjet e radhës, kësaj here uroj në një marrëveshje zyrtare ndërmjet subjekteve, jo të individëve, si unë kandidate për deputete nga radhët e Alternativës, por si subjekte politike që kanë synimin dhe qëllimin e përbashkët për ndryshime pozitive”, tha ajo.