UBT News

Kusari-Lila e konfirmon se plani franko-gjerman është i ndarë në dy faza e i pranueshëm, shoqëria civile kërkon sqarime

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur tryezë diskutimi me temën “Momentumi i ri në raportet Kosovë-Serbi”, me ç’rast pati një bashkëbisedim të hapur me përfaqësues politik, pjesëtarë të shoqërisë civile nga organizatat shqiptare e serbe si dhe me pjesëmarrës nga misionet ndërkombëtare.

Theks i veçantë iu dha situatës aktuale në raportet Kosovë-Serbi, me fokus gjendjes brenda vendit pas tërheqjes nga institucionet të disa përfaqësuesve serb. Aty u fol edhe për planin franko-gjerman, nëse ky propozim përmban njohjen nga Serbia.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, tha se dialogu Kosovë-Serbi i filluar qysh ne vitin 2011 ka hyrë në fazë të re. Sipas tij, presioni ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjeve nga të dyja palët është rritur. Ai ka kërkuar sqarime më shumë sa i përket planit të propozuar franko-gjerman, që siç tha kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka paraqitur si të mirë e që nuk mund të refuzohet.

“Dialogu i filluar me një kohë të gjatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2022 e ka gjetur Qeverinë me një qasje më ndryshe pas luftës në Ukrainë. Zhvillimet që kanë ndodhur në dialog, ka pasur disa pika të mira në këtë dialog, siç është çështja për udhërrëfyesin për energji, lëvizja e lirë me ID. Çështja e të pagjeturve mbetet ende e padiskutuar. Janë dy marrëveshje për të cilën presioni ndërkombëtar është rritur dhe që shtetet janë zotuar se do t’i implementojnë. Kemi parë kryeparlamentarin i cili thotë se është rrugë e mirë dhe se nuk mund ta refuzojmë, pra është plani franko-gjerman”, tha Kryeziu.

Detaje ka dhënë shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se propozimi franko-gjerma është i ndarë në dy faza. Sipas saj, faza e parë e këtij plani në të cilin mbështetje pati edhe nga ShBA-ja përmban çështje të cilat kanë mbetur të hapura, por që nuk përfshin njohjen reciproke. Ajo nuk ka dhënë detaje nëse ky plan përmban formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, por ka konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zv.kryeministri, Besnik Bislimi kanë nisur komentet e tyre për këtë plan të cilin e kanë quajtur mjaft serioz.

“Ajo që është e rëndësishme është se përvoja politike të mëson se nuk mund të bësh gjëra të njëjta dhe të presësh përgjigje tjetër. Ne vetëm kemi ndryshim të qeverisë vetëm në Kosovë dhe në Serbi jo, pra të presësh se mund të ketë veprim tjetër, është e pamundur. Ne po flasim për procesin se në raport me normalizimin e dy vendeve, sot janë ish krerët e shtetit që po mbahen në paraburgim, ndërsa Serbia në krah me Rusinë po shtyhet në karshi me Kosovën”, tha Kusari-Lila.

“Nënshkrimi i tri marrëveshje në Berlin ishte një proces që ka marrë pak vëmendje në rajon, ndërsa për Kosovën ishte momentum i mirë. Përmbajtja e planit franko-gjerman, kishte komponenta që u pa në opinionin publik, dhe i njëjti përmban njohjen reciproke i ndarë në disa faza. Faza e parë ka anëtarësim në organizata të ndryshme por pa njohjen reciproke, dhe e dyta është që synon njohjen dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes vete”, tha Kusari-Lila.

“Largimi i serbëve nga institucionet e kemi ndjerë në Kuvend shumë më herët. Lista serbe nuk ka marrë pjesë që një kohë të gjatë në Kuvend, dhe kjo po bëhet për të ruajtur një njëri, e ai është Milan Radojçiq”, tha ajo, teksa shtoi se kjo ka qenë arsyeja e largimit të tyre nga institucionet.

Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i Institutit KIPRED, tha se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës, është i menduar gjatë dhe si i tillë është krijuar nga qeveria e Serbisë. Peci ka thënë se Serbia po dëshiron që situatën në terren ta reflektojë edhe në negociatat rreth planit franko-gjerman. Ai tha se në një version që ka parë të këtij plani mund të jetë i pranishëm edhe modeli i dy Gjermnaive, për çka ka kërkuar më shumë sqarime, raporton EO.

“Serbia në këtë rast i ka qëllimet e limituara dhe i ka vetëm në veri të vendit. Ky shou me daljen e deputetëve dhe me ardhjen e serbëve të ri, Serbia po dëshiron që situatën në terren ta reflektojë edhe në negociatat rreth planit franko-gjerman. Qeveria ka gabuar që nuk e ka shtyrë vendimin për targat, sepse këtë Serbia do ta shfrytëzojë në dialog”, tha ai.

“Këtu janë dy qëllime që të krijojë një lloj autonomie dhe pikërisht kjo kohë është krijuar që një kohë të gjatë dhe ky veprim është marrë kryekëput nga Qeveria e Serbisë. Jam i lumtur që çështja e ndarjes ka rënë dhe mendoj që ka qenë i rrezikshëm dhe këtë Serbia e di që nuk mund të ndodhë”, deklaroi ai tutje.

“Planin franko-gjerman e kam parë dhe në model mund të jetë plani i dy Gjermanive. Një version që unë e kam parë, është që njëra prej pikave të diskutimit do të jetë edhe kisha ortodokse serbe dhe implementimi i të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara”, shtoi ai.

Exit mobile version