UBT News

Kusari Lila diagnostikohet me kancer të gjirit

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka njoftuar se para tri jave është diagnostikuar me kancerin e gjirit.

Kusari Lila tha se pas rekomandimeve të mjekëve ka vendosur për operacion dhe trajtim.

Kusari Lila ka ndarë një mesazh për gratë duke thënë se “Detektimi i hershëm shpëton jetë!”.

Postimi i plotë i Kusari Lila:

Detektimi i hershëm shpëton jetë!

Të dashura mike dhe miq,

Dua të ndaj një lajm me ju. Sot dola nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës – Klinika e Kirurgjisë Torakale pas operimit të kancerit të gjirit.

Tri javë më parë, gjatë një kontrolli rutinor të cilin e bëj çdo vit, u diagnostikova me kancer të gjirit, dhe pas rekomandimeve të mjekëve në Klinikën Universitare, vendosëm për operacion dhe trajtim.

Për të gjitha vajzat dhe gratë që nuk kanë bërë ekzaminimin e gjirit gjatë muajit tetor të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, JU LUTEM ta bëni sa më parë. Kontrolli rutinor mund të realizohet në qendrat e mjekësisë familjare, në spitalet rajonale dhe në të gjitha vendet ku ofrohet mamografia.

Detektimi i hershëm shpëton jetë, ndërsa vonesat për zbulimin dhe identifikimin e hershëm mund të sjellin pasoja shumë më të rënda.

Fatmirësisht, unë e zbulova në një fazë të hershme dhe trajtimi është shumë më i lehtë sesa në fazat e avancuara.

Një falënderim i veçantë për radiologen Dr. Shkëndije Nuza, kirurgun torakal Dr. Avni Behluli, drejtorin e Klinikës Torakale Dr. Nazmi Kolgeci, anesteziologen Dr. Medita Hashimi, motrës/infermiere Sadbere si dhe infermierët dhe të gjithë stafin mbështetës të Klinikës Torakale në Prishtinë.

Angazhimi dhe përkushtimi i tyre ishte profesional dhe shumë njerëzor.

Ju faleminderit të gjithëve për mesazhet e juaja inkurajuese dhe mbështetjen tuaj.

Shëndet e dashuri për të gjithë ju 

Exit mobile version