Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila ka mbrojtur qeverinë Kurti për krizën energjetike.
Në seancën e sotme plenare, Kusari-Lila adresoi kritika ndaj ish qeverive të kaluara për mos vendimmarrje dhe ofrim të zgjidhjeve për energjinë. Megjithatë, ajo tha se kthimi i bllok tarifave është i paevitueshëm bashkë me shprehin e kursimit të energjisë.
“Sa do që duan të tjerët t’ia faturojnë këtë situatë energjetike qeverisë aktuale, duhet domosdoshmërishtë të bëjmë një reflektim mbi rrethanat e mungesës së vendimmarrjes që e kishin gjashtë qeveri të tjera përpara. Dy shanse të humbura të cilat sot më së shumti e kanë ndikimin në situatën energjetike janë ato të ndërtimit të kapaciteteve të reja në vitin 2008-2009, kur Kosova kishte katër kompani serioze ndërkombëtare të interesuara për të investuar në termocentralin Kosova C asokohe. Gjithashtu edhe një shanse tjetër e humbur e kompanisë Bilfinger e cila kishte sjell propozimin para Qeverisë së asaj kohe për renovimin komplet të Kosovës A”, tha ajo.
Shefja e deputetëve të LVV-së tha se largimi i bllok tarifave në vitin 2017 për energjinë ka qenë i gabuar.
Kusari-Lila i quajti manipulime edhe deklaratat se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po e menaxhojnë situatën dhe nuk po shpenzojnë për energjinë.
“Më lejoni që vetëm t’iu përkujtoj se sipas EUROSTAT, Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut kanë rrymën më të shtrenjtë në rajon. Qeveria shqiptare është e vërtet se ka shpall gjendjen emergjente në tetor, por vetëm në vitin 2021 ka paguar 223 milionë euro import të rrymës edhe 200 milionë të tjera janë të ndara për import për vitin 2022. Gjithashtu nga 1 janari i këtij viti mbi 7000 kompani kanë dal në treg të liberalizuar, nëse nuk gjejnë kompani për t’u furnizuar ato do të marrin rrymën nga operatori i vetëm trefish më të shtrenjtë. Kjo është një barrë e rëndë për kompanitë, proces ky që u ndal në Kosovë në prill të vitit të kaluar”, shtoi ajo.
“Po ashtu edhe një pavërtetë që po i shërbehet opinionit është një situatë energjetike në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Krijohet bindja se dy vendet janë stabilizuar dhe ne kemi një bllokadë të informacionit se çka po ndodh atje”, përfundoi ajo.